Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Malishevë ka hedhur akuza të rënda ndaj kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, duke thënë se nuk duan koalicion me partinë e tij dhe se po përfiton në kurrizin e ish-krerëve të PDK’së.
Dega e PDK’së në Malisheve këtë reagim e ka bërë në llogarinë e tyre zyrtare në ‘Facebook’, duke e cilësuar “gabim vetëvrasës” koalicionin me Limajn, shkruan Gazeta Express.
Kandidati për kryeministër nga radhët e kësaj partie, Enver Hoxhaj, ka thënë se do ua vë veshin degëve e nëndegëve të shpërndara nëpërqytete të PDK’së lidhur me listat e deputetëve, ndonëse nuk ka përmendur kërkesat për koalicion.
Reagimi i plotë:
POLITIKANI PA MORAL POLITIK DHE NJERËZOR
Fatmir Limaj ishte ai i cili e ka luftuar në të gjitha format Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, duke akuzuar, shpifur dhe duke sulmuar të gjithë ata që përkrahnin mendimet e tyre.
Tani Fatmir Limaj, duke parë që nuk ka asnjë shpresë për të shpëtuar politikisht, po përpëlitet duke u munduar që shpëtimin ta gjejë në emër të Hashim Thaçit e Kadri Veselit, si dhe nën logon e PDK-së.
Por PDK-ja nuk do të bëjë këtë gabim vetvrasës, që të bëjë koalicion me njeriun, i cili është personifikim i korrupsionit dhe shantazhit.
Prandaj PDK-ja, dega në Malishevë dhe të gjitha strukturat organizative të saj, janë KUNDËR këtij koalicioni në të gjitha format.