Shefi i Grupit Parlamentar, Abelard Tahiri, ka thënë se targat ilegale të qytetarëve serbë nuk mund të lejohen në pafundësi që të qarkullojnë në Kosovë.
Nuk u përgjigj direkt nëse PDK është pro shtyrjes së afatit për riregjistrimin e targave, por tha se partia e tij e mbështet Qeverinë Kurti në vendimet ku respektohet sovraniteti edhe në veri të vendit.
“Çdo vendim i Qeverisë së Kosovës që duhet ndërmerret në raport me Serbinë, padyshim që është shumë e rëndësishme që të koordinohet me SHBA-në. Mirëpo, mbi të gjitha është më e rëndësishme që ky koordinim të rezultojë me respektimin e sovranitetit të Republikës së Kosovës. Nuk mund të lejohet në pafundësi shfrytëzimi i targave të tilla dhe besoj që çfarëdo veprimi që ndërmerr Qeveria e Kosovës e që respekton sovranitetin e vendit edhe në atë pjesë të Kosovës, padyshim që ka përkrahjen e PDK-së”, tha Tahiri pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Edhe pas thirrjeve të SHBA-së dhe BE-së që afati për riregjistrim të shtyhet për 10 muaj, kryeministri Kurti sot ka deklaruar se 31 tetori mbetet data e fundit për këtë.