Kryetari i Degës së PDK-së në Pejë, Xhavit Haliti ka reaguar pas deklaratave të kryetarit të kësaj komune, Gazmend Muhaxheri, për prishje eventuale të koalicionit ndërmjet PDK-së dhe LDK-së.
Përçarjet e koalicionin mes dy partive nisën sot kur partia e Kadri Veselit nuk mbështeti kërkesën e Ministrisë së Financave për rishikim të buxhetit komunal. Muhaxheri iu drejtua asamblistëve të PDK-së duke thënë se prej sot “Nuk kanë çka lypin” në qeverinë komunale të Pejës.
I menjëhershëm ishte reagimi i degës së PDK-së në Pejë. Drejtuesi i kësaj Dege, Xhavit Haliti në një prononcim për Indeksonline ka thënë se Muhaxheri nuk duhet të ngutet me veprime për prishje të koalicionit. Mirëpo, ai thotë se PDK-ja është e hapur edhe për largim nga bashkëqeverisja.
“Jo more, për një gotë uji nuk thehet gota .Ne jemi në koalicion në qendër edhe në komunë. Por nëse ai (Gazmend Muhaxheri v.j.) nuk don, ne me zor s’i rrimë askujt në koalicion. Por nuk e besoj, mund të ketë mospajtime që janë normale në koalicion, veçanërisht kur është në pyetje buxheti, miratimi i buxhetit sepse secila palë ka interesa për ta ndihmuar në infrastrukturë ku është elektorati i vet. Këto pra janë problemet që duhet të shtru në kuadër të koalicionit. Për ata edhe bëhen koalicionet sepse interesat duhet të jenë të përbashkëta”, ka thënë ai.
Megjithatë, Haliti ka tërhequr vërejtjen se nuk duhet të ketë ‘diktaturë’ në një koalicion.
“Në qoftë se në koalicion dëgjohet vetëm një zë vetëm interesat personale atëherë ai s’mund të jetë koalicion. Por duhet të shihet çfarë ka qenë kjo dhe të stabiziliohen raportet. Është krejtësisht normale që në debat e sipër njerëzit mund të flasin”, është shprehur ai, transmeton rtk.
Ndryshe, në qeverinë lokale të Pejës, Lidhja Demokratike e Kosovës ka nëntë drejtori komunale kurse Partia Demokratike e Kosovës katër drejtori.
















