PDK-LDK rrezikojnë vizat për qytetarët e Kosovës

E publikuar: 16/03/2016 09:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetët e pozitës, pavarësisht numrave të nevojshëm në Kuvend, nuk arritën të martën t’i emërojnë dy anëtarët e Bordit të OSHP-së, që është njëri nga tetë kriteret e BE-së për liberalizimin e vizave.

Ky dështim i Parlamentit, ku nuk ishte e pranishme opozita në seancë, ka ndodhur vetëm dy ditë para ardhjes në Kosovë të Misionit Vlerësues të BE-së për Vizat.

Institucionet e vendit kanë bërë hapa mbrapa në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian (BE). Faji për këtë dështim nuk ishte te opozita, e cila qe disa muaj ka bllokuar punën e Kuvendit duke hedhur gaz lotsjellës, por te partnerët e koalicionit qeverisës.
Dy ditë para se në Kosovë të qëndrojë Misioni Vlerësues i Bashkimit Evropian për Përmbushjen e Kritereve për Liberalizimin e Vizave, deputetët e pozitës në seancë kanë dështuar ta kompletojnë Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), njëri nga tetë kriteret e përcaktuara nga BE-ja për liberalizimin e vizave.

Ministri i Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku, ka thënë të martën për “Zërin” se mosemërimi i anëtarëve të OSHP-së nga Kuvendi është lajm jo i mirë, në prag të ardhjes së misionit vlerësues nga BE-ja, pasi që ky ishte një prej kritereve të vetme që kishte mbetur pa u përmbushur në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave.

“Besoj se me një komunikim më të mirë ndërinstitucional kjo çështje do të ishte përmbyllur me kohë, meqë gjatë gjithë procesit janë ndjekur procedurat e parapara ligjore dhe deputetët ishin në dijeni se funksionalizimi i OSHP-së është ndër kriteret e vetme të mbetura në këtë proces. Por, duke shprehur respekt për vullnetin dhe pavarësinë në vendimmarrje të deputetëve të Kuvendit të Kosovës duhet pranuar faktin se ky vendim rrezikon të ndikojë negativisht në raportin vlerësues të këtij misioni, që pritet të vijë nesër në Kosovë”, ka thënë Çollaku.