Për shkak mos interesimit të komunës për zgjidhjen e problemeve në Kompaninë Publike Regjionale “Eko-higjiena” në Gjilan, qytetarët e Gjilanit po përballen me rrezikun e jetës dhe shëndetit të tyre, nga vërshimi i mbeturinave në tërë qytetin, ndërsa, investitorit privat austriak, po i rrezikohet investimi që ka sjell në zhvillimin dhe mirëvajtjen e kësaj kompanie, përmes presioneve që po bëhen ndaj tij deri te sulmi fizik që ndodhi këto ditë ndaj drejtorit të kompanisë. Kështu ka konsideruar Partia Demokratike-dega në Gjilan, duke kërkuar përgjegjësi nga kryetrari i Komunës, Lutfi Haziri.
Përderisa kjo situatë e ka alarmuar Odën Ekonomike të Kosovës, e cila i thërret institucionet relevante të vendit që urgjentisht të ndërmarrin masat e nevojshme për të mbrojtur investitorin austriak në Gjilan, PDK-ja po konsideron që kryetarit të komunës Lutfi Haziri, nuk po i bëhet vonë, duke mos e shqetësuar fare kjo situatë. “Për më keq, ai dje, në bordin e drejtorëve është lavdëruar për menagjimin e mirë të situatës nga bora, pa e zënë fare në gojë bërllokun që e ka vërshuar tërë qytetin dhe fshatrat, për shkak të grevës së punëtorëve të “Eko-higjienës””, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Tutje, dega e PDK-së në Gjilan ka njoftuar se, shqetësimin e qytetarëve, për rrezikun nga mbeturinat e shumta anekënd qytetit, dhe neglizhencën e komunës për tejkalimin e situatës, Prokuroria Themelore në Gjilan, e ka marrë seriozisht dhe ka filluar hetimet për gjendjen e krijuar, ndaj të gjithë akterëve të involvuar në këtë rast.
“Pra, për situatën e krijuar në kompaninë “Ekohigjiena” në Gjilan, të gjithë janë vënë në aksion, përveç shefit të komunës, Lutfi Haziri, i cili, mbase akoma nuk është këndellur nga festat e fundvitit, dhe me sa duket, nuk i bënë edhe aq përshtypje për pasojat që po i sjell komunës së Gjilanit, por edhe imazhit të Kosovës në përgjithësi”, thotë PDK, duke konsideruar që “Ekohigjiena” nuk është problem i pazgjidhshëm, ndërkohe që do guxim dhe vullnet politik për t’u zgjidhur.
Në fund, PDK ka ftuar kryetarin e komunës së Gjilanit që të pushojë, siç thotë ky subjekt politik, spektaklet e panevojshme dhe të merret seriozisht me problemin e “Ekohigjienës”, në të kundërtën, ai do të mbahet mend si kryetari i rekordeve negative, e edhe për kaq shumë mbeturina shesheve dhe rrugicave të qytetit.



















