PDK-ja në Telekom – gjetën punë djali i kryetarit të Shtimes e vajza e ish-zv/ministrit Kajtazi

E publikuar: 22/03/2019 19:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

1 mijë e 800 euro në çdo tre muaj i janë paguar portalit “Lajmi Express”, që nga maji i 2015-s.

Që nga ajo kohë e deri në prillin e 2019-s, ky portal ka marrë, në total, nga Telekomi i Kosovës, hiç më pak sesa 22,200 euro, raporton KTV.

Por, nga muaji shkurt i këtij viti, pronarja e këtij mediumi ka lidhur një kontratë tjetër më ndërmarrjen publike – ajo është punësuar aty.

Kaltrina Kajtazi është angazhuar të punojë në sektorin e marketingut.

Ajo është e bija e ish-deputetit të PDK-së, Kurtan Kajtazi, i cili gjatë këtij mandati, për disa kohë, ishte edhe zëvendësministër i Bujqësisë në qeverinë e Haradinajt.

Kohavisioni ka kontaktuar Kajtazin, e cila ka pranuar se para pak kohësh është punësuar në Telekom, derisa nuk është përgjigjur për kontratën tjetër që ka me ndërmarrjen.

Naim Ismajli, ka dy mandate që është duke udhëhequr me Shtimen.

Në nëntorin e 2017-s, i biri i tij, Meriton Ismajli, u punësua në Telekom.

Bazuar në dokumentet që i ka Kohavisioni, Meritoni punon si zyrtar për kujdesin ndaj konsumatorëve.

I kontaktuar nga televizioni, kreu i Shtimes ka mohuar të ketë përdorur autoritetin e tij për këtë punësim.

Për më tepër, ka theksuar se i biri ka kualifikim më të lartë sesa pozita që ushtron e që, sipas tij, është shitës.

“ Djali ka aplikuar në bazë konkursi. Ka përgatitje master në ekonomi dhe vazhdon studimet për doktoraturë, ndërsa vendi i punës është zyrtar i shitjes në sportel. Pse do ishte e nevojshme për atë të ndikoja?”, ka thënë Ismajli për KTV-në, në një përgjigje me sms.

Ashtu sikur partitë e tjera të koalicionit PAN, edhe PDK-ja ka punësuar dhjetëra militantë në Telekom.

Më 10 prill të 2018-s, në Telekom, Qëndrim Imeri gjeti punë si montator. Imeri është një simpatizant i presidentit Thaçi dhe i PDK-së, bazuar në veprimtarinë e tij në rrjetet sociale.

Edhe Besarb Reçica punon në Telekom, si zyrtar për kujdes ndaj konsumatoreve që nga 6 nëntori i 2017.

Edhe Reçica është pjesë e simpatizantëve të PDK-së, konkretisht familjar i deputetit Elmi Reçica.