PDK-ja kërkon dorëheqjen e Haxhiut dhe intervistimin e saj nga Prokuroria Speciale

E publikuar: 21/07/2024 12:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, sot, përmes një konference për media, ka kërkuar dorëheqjen e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut dhe i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale që ta ftojë atë në intervistim për të sqaruar, siç tha ai, deklaratat e saj të fundit në lidhje me arratisjet e të burgosurve nga burgjet e Kosovës.

“Nëse Serbia është prezente në burgjet e Kosovës, çfarë bën Ministrja e Drejtësisë në detyrën e saj? Kjo është pyetja themelore që ngre çdo qytetar sot. Kjo deklaratë ngre çështje serioze të sigurisë kombëtare të vendit, prandaj në emër të Partisë Demokratike të Kosovës kërkoj nga Prokuroria Speciale që të intervistojë ministren Haxhiut për të sqaruar deklaratën e saj mbi prezencën e Serbisë në Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe përfshirjen e njerëzve të saj në arratisjet e të burgosurve kohëve të fundit”, ka thënë ai.

Gruda është shprehur se qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë një ministre të tillë, që sipas tij, bën deklarime që e dëmtojnë rendin e ligjin në vend.

“Qytetarët e Kosovës nuk meritojnë një Ministre të tillë të Drejtësisë, që përveçse nuk arrin të realizojë asnjë nga premtimet e dhëna, bën deklarime disfatiste që dëmtojnë rendin dhe ligjin në Kosovë”, ka thënë Gruda.

“Pas dështimeve të njëpasnjëshme në të gjitha nismat për drejtësi, në veting, në reformimin e këshillit prokurorial, në konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, hartimin e shumë ligjeve në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës, dhe së fundmi arratisjet e të burgosurve dhe deklaratat e saj skandaloze, në emër të PDK-së kërkoj dorëheqjen e menjëhershme të Ministres Haxhiu, si një akt të domosdoshëm për të hapur rrugën për kthimin e sigurisë në burgjet e Kosovës dhe për reformat shumë të nevojshme në sistemin e drejtësisë në Kosovë”, është shprehur tutje Gruda.