Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar mocionin për interpelancë me kryeministrin, Albin Kurti par rastin e vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e Gjinekologjisë, raporton Ekonomia Online.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra pas vrasjes së gruas shtatzënë, 35 vjeçare, në oborr të Gjinekologjisë, ka shtuar se shteti ka dështuar të ofrojë mbrojtje për tashmë të ndjerën.
“Edhe më tronditëse bëhet gjendja kur brenda pak ditësh i kemi dy viktima, këto duhet të jenë rastet e fundit dhe alarmi i fundit për shtetin tonë. PDK në mënyrë urgjente sot ka parashtruar mocionin për interpelancë të kryeministrit. Pra po dështojnë të ofrojnë mbrojtjen e jetës të vajzave dhe grave të Kosovës. Vendi ynë për çdo ditë po shënon raste të dhunës e vrasjeve”.
“Është e pa tolerueshme që këto krime ndodhin në bazë të përditshme dhe javore. Të shokuar nga kjo vrasje makabër. Ne si PDK kemi vendosur që të ftojmë në interpelancë kryeministrin dhe ministrat përgjegjës, sepse konsiderojmë që ky ishte një dështim i shtetit për të ofruar mbrojtje që një grua po priste të sillte në jetë një fëmijë”.
Edhe deputeti Rashit Qalaj ka shprehur shqetësimin për mosefekasitetin e institucioneve të drejtësisë.
“PDK tërë kohën është duke bërë thirrje që të bëjnë të pamundurën që institucionet të jenë më të përgatitura. Dhe kjo bëhet kur drejtuesve të tyre nuk u zvogëlohen pagat, kur punëtorëve nuk ju përmirësohen kushtet e tyre dhe nuk kanë mbështetje nga institucionet përkatëse. Ende s’ ka marrë një përgjigje pse po zvarritet procesi i emërimit të ministrit të Shëndetësisë, kemi shumë spitale që udhëhiqen me ushtrues detyre. Shtrohet pyetja pse qeveria e vendit, pse MPB-ja dhe ministria e Mbrojtjes për çdo ditë ikin punëtorët nga vendi”, ka shtuar ai.