Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, të udhëhequr nga kryetari Bedri Hamza, në të cilën është diskutuar dhe vendosur për organizimin e partisë në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 dhjetorit.
Në këtë mbledhje, kryesia ka miratuar formimin e Shtabit Qendror Zgjedhor, i cili do ta udhëheqë procesin organizativ dhe koordinues të fushatës, raporton KosovaPress.
Me vendim të Kryesisë, shtabi do të udhëhiqet nga ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Po ashtu, Kryesia ka vendosur që pas zgjedhjes së Bedri Hamzës kryetar i PDK-së, Arian Tahiri të jetë ushtrues detyre i kryetarit të Degës në Mitrovicë.
Kryesia ka mbështetur edhe koalicionin e Partisë Demokratike të Kosovës me Grupin e Deputetëve të Familjes.
PDK hyn në këto zgjedhje me unitet të plotë, me struktura të mobilizuara dhe me besim në projektin e saj për një qeverisje të përgjegjshme, stabile dhe në shërbim të qytetarëve.
Kujtojmë, më 28 dhjetor në Kosovë mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme pas dështimit për formimin e qeverisë.


















