PDK: Emërimi i militantit të VV-së Rilind Gërvalla si drejtor në RTK e shndërron Televizionin publik në megafon të Albin Kurtit

E publikuar: 31/01/2023 19:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar për zgjedhjen e Rilind Gërvallës si drejtor i Radio Televizionit të Kosovës.

Në një komunikatë për media ata thanë se konsiderojnë se kapja dhe nënshtrimi i RTK-së nën direktivën e pushtetit, është një hap më tutje kundër fjalës së lirë dhe lirisë së mediave në Kosovë.

PDK përveç kritikave ndaj kryeministrit Kurti, kishin kritika edhe ndaj presidentes Vjosa Osmani ku thanë se tash e disa muaj kanë nisur instalimin e militantëve të tyre në RTK.

Komunikata e plotë:Kryeministri Albin Kurti dhe partia e tij, kanë instaluar nga sot militantin e tyre shumë vjeçar Rilind Gërvalla si drejtor në Televizionin Publik të Kosovës. Në vazhdën e kapjes së secilit institucion të pavarur në Kosovë, kryeministri Albin Kurti në koordinim të ngushtë me partneren e tij, presidenten Vjosa Osmani, tash e disa muaj kanë nisur instalimin e militantëve të tyre në Radio Televizionin Publik të Kosovës. Kapja e RTK-së nga kryeministri Albin Kurti me mbështetjen e presidentes Vjosa Osmani ka filluar që nga zgjedhja e anëtarëve të Bordit të RTK-së, të cilët tani po i përdorin për realizimin e planit politik të partisë në pushtet për instalimin e militantëve në pozita drejtuese, duke kulmuar sot me emërimin e militantit Rilind Gërvalla si drejtor i Televizionit Publik.

Me këto emërime, RTK nuk do të jetë më në shërbim të publikut, por do të përdoret si megafon i Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, ndërsa militantët që do ta drejtojnë RTK-në, do të marrin urdhra nga ideologët dhe propaganduesit e tyre partiak. Nëpërmjet kapjes së Radio Televizionit Publik të Kosovës me militantë partiak;, pushteti po synon kapjen e mendjes së qytetarëve nga e cila frikësohen më së shumti. Prandaj, nëpërmjet instalimit të militantit Rilind Gërvalla si drejtor, kryeministri Albin Kurti po synon që ta përdorë RTK-në për propagandë dhe agjitacion të llojit “Çka ka, çka s’ka”, për të shtrembëruar realitetin dhe të vërtetën e keqqeverisjes së tij. Rilind Gërvalla, drejtor i sapoemëruar nga tetë anëtarët e Bordit të RTK-së, është militant i Vetëvendosjes tash e 15 vite, duke qenë pjesëmarrës në të gjitha organizimet partiake. As kërkesat shoqërore për transparencë e meritokraci dhe as thirrjet e asociacioneve ndërkombëtare e shoqërisë civile për mos politizim të transmetuesit publik, nuk arritën ta ndalin hovin e projektit të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes për kapjen e RTK-së.

Partia Demokratike e Kosovës konsideron se kapja dhe nënshtrimi i RTK-së nën direktivën e pushtetit, është një hap më tutje kundër fjalës së lirë dhe lirisë së mediave në Kosovë.