PDK e Prizrenit, nuk beson në pafajësinë e Mujës, kërkon kryetarë të ri!

E publikuar: 07/04/2015 20:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia Demokratike e Kosovës(PDK) në Prizren, ka humbur besimin se mund të shpallet i pafajshëm kryetari i Komunës Ramadan Muja nga Gjykata e Apelit. Ky subjekt politik ka filluar të mendojë për zgjedhje të jashtëzakonshëm.

Burimet e ‘PrizrenPress’-it bëjnë të ditur se Kryesia e PDK-së në Prishtinë ka filluar të interesohet për gjetjen e një emri të ri të kandidatit për kryetar të Prizrenit.

“Jemi duke shikuar mundësin e gjetjes së një emri të ri për kandidat të mundshëm për kryetar të Prizrenit, nëse Gjykata e Apelit konfirmon dënimin për Ramadan Mujën”, tregon burimi brenda PDK-së në Prishtinë.

Në muajin qershor do të rikthehet në gjykatë kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja. Gjykata e Apelit më në fund ka arritur të caktonte nisjen e shqyrtimit të ankesës së mbrojtjes së Mujës, që e kishin bërë për vendimin e shkallës së parë.

Në mars të 2014-s, kryetari Muja qe dënuar me 2 vjet burgim me kusht, për veprën penale – keqpërdorim të detyrës zyrtare. Mujës, nga tabori i PDK-së, i ishte ndaluar edhe ushtrimi i funksioneve publike 30 muaj. Por, për krejt këto dhe në fakt anulimin e vendimit të shkallës së parë, ishte ankuar kryetari i Prizrenit, çfarë e ka shtyrë vendimin që të bëhej i plotfuqishëm, rrjedhimisht edhe shtyrjen e zgjedhjeve në qytetin e dytë më të madh të Kosovës.

Me kusht në këtë proces janë dënuar edhe 5 zyrtarë të tjerë të Komunës së Prizrenit. Vonesat në caktim të kësaj seance ishin shkaktuar për shkak të mosfunksionimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës gjatë kohës së bllokadës institucionale.

Pavarësisht verdiktit final të Gjykatës së Apelit, PDK-ja nuk dëshiron që të përcaktohet në momentin e fundit për kandidatin për kryetar të Prizrenit.

“Sigurisht që ne besojmë në pafajësinë e Ramadan Mujës, mirëpo nuk guxojmë që ky besim të na përmiell deri në vendimin final të gjykatës, pasi që nëse ndodhë e kundërta nuk kemi kohë për t’u përcaktuar për emrin tjetër të kandidatit për kryetar të Prizrenit ”,tregon burimi.

Sipas të njëjtit burim, PDK-ja po e shikon mundësin që të përcaktohet për një emër , i cili do të ruante fitoren në Prizren.

“Sigurisht që nëse shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme ne përcaktohemi për emrin që do të ruante pa problem fitoren e PDK-së në Prizren”./PrizrenPress.com