“Po sjellim sot vetëm një dëshmi se si malet me plehra kanë mbuluar Shqipërinë, se si plehrat që kryeministri i quan mall, që duhet t’i marrë nga jashtë për shkak se nuk ka Shqipëria, për të mbajtur industrinë ricikluese, ndodhen në çdo pjesë të vendit. Këtu jemi në Bizë, vetëm 500 metra larg resortit turistik që do të ndërtohej nga Fati Mitri, i cili do të hapte 1200 vende të reja pune. Jemi vetëm 1 kilometër në vijë ajrore nga avioni i Guido Guidit, i cili kishte ardhur për të transportuar drogë”, thotë Salianji.
“Droga dhe plehrat janë alternativa e Ramës për të mbuluar vendin. Kjo është Shqipëria e cila nuk ka kapacitet dhe nuk investohet për të ndarë në burim dhe për të ricikluar plehrat e veta, por, sipas kryeministrit, këto plehra janë para’, të cilat hidhen rrugëve sot, para’ të cilat kthehen në kancerogjene për banorët e zonës dhe në dëmtuese të mëdha jo vetëm të imazhit të Shqipërisë, por të jetës së qytetarëve shqiptarë, të cilët janë të detyruar të bashkëjetojnë me këto male me plehra që ne do t’i sjellim rast pas rasti, sepse në fakt kanë mbuluar Shqipërinë. Plehrat janë mall, thotë kryeministri. Po pse atëherë plehrat, pra paratë, qytetarët dhe shtetet e Bashkimit Europian do t’i sjellin në Shqipëri?! Në rast se janë para’, pse kompanitë ricikluese nuk investojnë dhe nuk i marrin plehrat për t’i përpunuar në vendin e origjinës, aty ku duhet të përpunohen. Pse kryeministri dhe industritë ricikluese nuk investohen për të marrë këto male me plehra dhe për t’i kthyer në para’ dhe vende pune për qytetarët shqiptarë?! Rezikshmëria e mbetjeve dhe plehrave do të jenë një katastrofë e madhe për Shqipërinë dhe është një akt antikombëtar”, shprehet Ervin Salianji.