PD: Rrjet i strukturuar kriminal në çdo qendër votimi në Dibër

E publikuar: 13/09/2016 18:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi ka denoncuar këtë të martë mekanizmin kriminal, që sipas tij ka blerë votat në Dibër, duke cituar këtu raportimet në media.

“Pas çdo ore që kalon del në dritë përherë e më qartë mekanizmi kriminal i blerjes së votës në Dibër. Rastet e publikuara në media, si ai i “Fiks Fare” një natë më parë, apo ditën e zgjedhjeve në News 24, janë dëshmi jo thjesht dhe vetëm të blerjes së votës. Ato dëshmojnë se në Dibër funksionoi një skemë e mirorganizuar me fond dhe pagatorë të vënë në dispozicion për blerjen e votës”, ka deklaruar Bylykbashi.

Deputeti demokrat ka theksuar se, “funksionarë të lartë të Bashkisë së Dibrës, kryekëshilltarja e Këshillit Bashkiak dhe vëllezërit e Muharrem Ramës janë kapur me zë e me figurë duke kryer krimin elektoral”.

“Këto janë rastet sporadike të një rrjeti të mirorganizuar që kishte lëshuar tentakulat në çdo qendër votimi pa përjashtim. Duke nisur nga drejtuesit politikë të fushatës në bashkëpunim me figurat e njohura të krimit të organizuar, drejtorë të administratës qendrore dhe lokale, shefa policie, administratorë, kryepleqtë dhe zyrtarë publikë, ky grup i strukturuar kriminal ka ndarë milionat që duheshin, njerëzit që do të kryenin operacionin, duke llogaritur e paracaktuar blerjen e votave sipas çdo qendre votimi. Sipas cdo qendre votimi”, ka thënë Bylykbashi.

Sipas tij, “mbi bazën e parave të hedhura, ata e dinin se sa vota kishin marrë”. “Kjo është kjo arsyeja se pse ata nuk bënë fushatë, pse kandidati i tyre refuzoi çdo përballje me kandidatin tonë dhe nuk iu dëgjua zëri gjatë fushatës. Është kjo arsyeja pse nuk kishin një platforme dhe refuzuan vazhdimisht debatin. E bënë këtë, sepse kishin blerë dhe kapur votën”, ka vijuar Bylykbashi.

Pasi i ka bërë thirrje prokurorisë që të nisë hetimet, ai ka paralajmëruar se, “lufta totale me kartelin e drogës, krimit dhe korrupsionit sapo ka filluar”.

/ Top Channel