Ballsor Hoxha
Paramendojeni, vetëm tetë vite pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, në po të njëjtin përvjetor, në shumë qarqe dhe ambiente po e njëjta është gjëja më e ndaluar për t’u festuar. Paramendojeni, vetëm tetë vite, pasi që tërë bota ishte pushtuar nga festimet dhe manifestimet e kosovarëve në festim të arritjes, dhe ngadhënjimit ndaj të keqes së tyre kolektive, sot ka shumë prej të njëjtëve që janë kundër Pavarësisë së Kosovës Republikë.
Kosova, dhe po ashtu edhe Shqipëria, për argumente paksa më të ndryshme se Kosova, funksionojnë në dy botë të ndara. Njëra botë është qytetari i izoluar brenda mjerimit dhe mizorisë dhe me këtë i paaftësuar për të – shtjelluar – zhvillimet politike në mirëqenie. Dhe në botën tjetër, politikanët, në mirëqenien luksoze, duke krijuar politika të larta dhe pakapshme për qytetarët, gjë që i vë ata në një kushtëzim emocional, dhe në pamundësi për t’i shoshitur me vetëdije.
Në këtë mënyrë pushtetet apo forcat politike arrijnë të bëjnë krejt çka u duhet për të arritur në pushtet, prej armiqësimit deri në gjendje lufte të popullit, e deri tek manifestimet krejtësisht përjashtuese të njëra tjetrës brenda të njëjtës ditë, të njëjtit qytete dhe të njëjtit shesh.
Prishtina, njëjtë sikur Tirana, është njëlloj mejdani i fuqisë politike të të gjithë atyre që ia “duan” të mirën Prishtinës/Tiranës. Vijnë vazhdimisht nga çdo rajon, dhe edhe nga periferitë, me bukë të paguar e pa bukë të paguar, me tiketa të paguara e me organizime, pikërisht në Tiranë dhe në Prishtinë. Vijnë vazhdimisht dhe protestojnë, vijnë vazhdimisht dhunojnë, vijnë vazhdimisht dhe festojnë, dhe kthehen në shtëpitë e tyre për të parë në TV atë që kanë arritur.
E dini kush mbetet? E dini sigurisht. Janë ata që udhëheqin në Prishtinë dhe në Tiranë.
Çdo gjë, prej dhunës,deri tek paqja, e prej aty deri në shkatërrim dhe në gjakderdhje, është shndërruar në fuqi politike e shfrytëzuar nga njëra ose pala tjetër. Qoftë edhe mos-dalja, abstenimi dhe rezignimi janë shndërruar në fuqi politike të tjetrit.
Qoftë edhe ti që po e lexon këtë shkrim, vetëm duke e lexuar, je duke marrë pjesë në këtë ndarje pushteti, në këtë luftë fuqish politike dhe në këtë Protestë/Festim të pushtetit dhe opozitës. Pavarësisht nëse shkrimi tenton, është menduar apo edhe, ndoshta, është neutral, dhe vetëm një vëzhgim përkufizues. Apo, çka nëse asgjë më në këtë botë nuk ka mbetur neutrale?
Ja një shembull për pamundësinë e neutralitetit sot. Të njëjtën ditë që kandidati potencial për president të Kosovës, Z. Hashim Thaqi kishte një intervistë në televizionin shtetëror, në të njëjtin termin, në një televizion tjetër, një prej portaleve më të pushtetshme ndër shqiptarë, kishte zgjedhur të zbulonte “tradhtinë”, “kriminalitetin”, dhe dështimin” e po të njëjtit kandidat për president. Pra Hashim Thaqit. Ishte njëlloj atentati politik i planifikuar.
Por, pikërisht e njëjta situatë mund të shikohet ndryshe. Çka nëse kandidati për president e dinte për këtë përpjekje “atentati” dhe kishte dhënë intervistën për t’u vetëmbrojtur?
Një shembull tjetër, shumë më i saktë është shënimi i ditës së pavarësisë së Kosovës, që është 17 shkurti. Paradite, shteti i quajtur Republika e Kosovës manifestoi gjithë arsenalin institucional të themeluar, të arritur dhe të ndërtuar në orët e paraditës, në Prishtinë.
Në mesditë, apo në orët e pasdites të të njëjtës ditë, opozita pushtoi qendrën e Prishtinës, me njerëz të ardhur nga tërë Kosova, dhe shumë më pak nga Prishtina, dhe manifestoi atë që në distancë mund të shihet si pushtet dhe fuqi politike, dhe që ata e promovojnë si luftë ndaj tradhtisë së qeverisë aktuale.
Problemi, siç do të thoshin teoricienët, është tek zgjedhja. Është tek zgjedhja e njërës prej perspektivave të mundshme. Është, në të vërtetë, dhe pikërisht, tek pamundësia e zgjedhjes së shqiptarit, kosovarit, dhe ballkanasit të zakonshëm.
Ta shohim pak më qartë këtë përmes po të njëjtit shembull: këto dy ndodhi të njëjta në Prishtinë më 17 shkurt 2016, mund të shihen së paku në tri mënyra:
Kosova është në krizë, një pjesë e konsiderueshme e kosovarëve nuk e duan këtë qeveri dhe kahjen e zhvillimeve brenda saj.
Këto manifestime, pra parakalimi dhe protestat në të njëjtën ditë, janë shembulli kulmor i një demokracie që është duke u zhvilluar në Kosovë.
Këto dy manifestime, krejtësisht të kundërta, janë mungesë vetëdijeje politike moderne të qytetarët për të parë realisht atë që po ndodh në Kosovë, dhe pikërisht për shkak të kësaj njëra prej grupimeve do të dijë më mirë ta manipuloj këtë situatë.
Është loja politike për pushtet, apo për ta thënë në diskursin patriotik shqiptar, loja për të “ekzekutuar” tradhtarët në qeveri në njërën anë; dhe loja për të “afruar” Kosovën në Bashkimin Evropian përmes kompromiseve herë të dhembshme herë të hershme me Serbinë. Dhe pikërisht kjo lojë, e ka sjellë qytetarin shqiptar para një dileme ekzistenciale për të zgjedhur ndërmjet dy botëve.
Në njërën anë politikanët tanë kanë krijuar një çarje të pakapërcyeshme për votuesit, dhe me këtë i kanë izoluar në dy botë të ndryshme, si në Shqipëri si në Kosovë. Dhe në anën tjetër loja politike ndërmjet po të njëjtave tabore është aq e ndërthurur dhe aq komplekse sa që qytetari i zakonshëm është shumë prapa në të kuptuarit e saj.
Në këtë mënyrë dita e pavarësisë ka krijuar njëlloj inercioni të të keqes dhe ka arritur të kompleksoj tërë popullin shqiptar në Kosovë. Është turp, tradhti, dhe korrupsion të duash Kosovën Republikë, për numër të konsiderueshëm të kosovarëve. Mirëpo, pikërisht këtu shpërfaqet tradhtia e vërtetë e të gjitha grupimeve politike: përçarja e fuqisë dhe vullnetit kolektive të një populli. Në vend se të krijohet udhërrëfimi për të ardhmen, cilido qoftë ai, në të vërtetë për cilindo që orientohet populli (tanimë i paaftësuar), në vend të kësaj është krijuar një humnerë ndarjeje, si në Shqipëri si në Kosovë, dhe populli është detyruar të bindet ndaj bindjeve politike të disave, bindje të cilat mund të jenë edhe tmerrësisht të dëmshme për të ardhmen.