Marrja e një patentë shoferi do të jetë më e vështirë që nga viti i ardhshëm, raporton KTV.
Kësaj vështirësie pritet t’i shtohet edhe kostoja më e lartë për t’u pajisur me këtë dokument.
Projektligji i ri për patentë shofer, i cili tashmë ka kaluar në leximin e parë, parasheh 25 orë teori dhe 30 praktikë, duke e rritur koston nga 300 deri në 400 euro për kryerjen e provimit për patentë shoferit.
Por, ky propozim i Ministrisë së Infrastrukturës ka hasur në kundërshtim të federatës dhe shoqatave të autoshkollave në vend.
Ngritja e çmimit nga 160 euro sa ka qenë deri më tani, në 400 euro për një kandidat po konsiderohet si shumë e lartë krahasuar me standardin e jetesës, duke ua pamundësuar shumë qytetarëve marrjen e një patentë shoferi.
Por për ministrin e Infrastrukturës, futja e këtyre kritereve është e bazuar në standardet evropiane. Për më tepër, shtimi i orëve shtesë do t’i kontribuojnë ngritjes së sigurisë në rrugë.
Testimi elektronik dhe monitorimi i testimit nëpërmes kamerave në të ardhmen pritet ta rrisë edhe më shumë transparencën në këtë proces dhe të nxjerrë kandidatë më të përgatitur në vozitje.