Pas reagimit të vëllezërve Haradinaj se pse nuk i është publikuar pasuria pasi kanë dorëzuar formularin pranë Agjencionit Kundër Korrupsionit, sot u publikua pasuria e deklaruar nga Ramushi e Dauti.
Pasuria e paluajtshëm e Ramush Haradinajt përbëhet nga një shtëpi banimi me vlerë prej 300 mijë eurove; shtëpi familjare – kullë – me vlerë prej 270 mijë eurove; tokë kodrinore e privatizuar me vlerë prej 75 mijë eurove dhe tokë – truall – me vlerë 27.300 eurove.
Pasuria e luajtshme e tij vargohet me veturë “Suburban” e blinduar që është dhënë në shfrytëzim nga aktivistët e SHBA-ve me vlerë prej 30 mijë eurove; Audi e blinduar me vlerë prej nëntëmijë eurove; motoçikletë me vlerë nëntëmijë eurove dhe BMW me vlerë 20 mijë eurove në pronësi të gruas së tij.
Ramush Haradinaj ka të deponuara në bankë 6.000 euro dhe para të gatshme 7.000 euro, kurse pagat e tij vijnë nga Kuvendi i Kosovës me vlerë 1.488euro dhe paga e bashkëshortes me vlerë 660 euro. E, prindërit e tij marrin pensionin e pleqërisë dhe pensionin për dëshmorin.
Vëllai i tij, Dauti, ka pasuri të paluajtshme tokë me vlerë 10 mijë euro; shtëpi banimi me vlerë 195 mijë euro, dhe truall me vlerë 200 mijë euro. Kurse, nga pasuri e luajtshme posedon veturë me vlerë 10 mijë euro,;veturë tjetër që e posedon bashkëshortja me vlerë 8.500 euro; dhe, gjësende të ndryshme personale ku futen dhuratat e ndryshme të pranuara nga Daut Haradinaj – që kanë vlerën e 16.500euro.
Para të gatshme të deponuara në bankë, Daut Haradinaj ka 4.588.24 euro dhe një kredi për blerjen e truallit me vlerë 200 mijë euro për t’i kthyer me afat prej 25 viteve. Gjithashtu ai ka huazuar para nga familja për të blerë shtëpinë me vlerë 30 mijë euro.