Kryetari i Komunës së Prishtinës dhe njëkohësisht lideri i PSD-së, Shpend Ahmeti ka deklaruar një pasuri pothuajse të njëjtë në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK) për vitin 2018, krahasuar me atë që kishte deklaruar vitin e kaluar.
Ahmeti ende nuk është bërë me shtëpi. Në formularin që ai ka mbushur në AKK, nuk ka deklaruar asnjë pasuri të paluajtshme, teksa tek pasuritë e luajtshme ka deklaruar vetëm një veturë të markës Skoda e tipit Superb. Veturën e ka deklaruar në vlerë prej 9 mijë (9,000) eurove.
Ndonëse nuk ka shtëpi, kryetari i Partisë Social-Demokrate ka shtuar për 500 euro më shumë paratë që i mban në institucionet bankare.

Këtë vit, Ahmeti ka deklaruar 3 mijë euro para të gatshme në bankë, derisa vitin e kaluar kishte deklaruar 500 euro më pak, raporton Insajderi.
Paga vjetore e Shpend Ahmetit si shef i ekzekutivit të Komunës së Prishtinës është saktësisht 16,696 euro – që i bie se paga mujore e tij të jetë rreth 1 mijë e 400 euro.
Ahmeti u largua nga Lëvizja Vetëvendosje në fillimin e këtij viti dhe prej më shumë se një muaji është emëruar në krye të Partisë Social-Demokrate. /Insajderi.com

















