Pjesë të Prishtinës kanë mbetur pa menaxhim të mbeturinave pasi punëtorët e kompanisë “Pastrimi” kanë hyrë në grevë. Komuna e Prishtinës ka njoftuar të martën se greva e tyre ka krijuar situatë të rënduar “që kërcënon shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve”.
“Punëtorët e kompanisë së pastrimit kanë hyrë në grevë, duke kërkuar largimin e kryeshefit të tyre, dhe kjo ka sjellë kaos në zonat ku kjo kompani mbulon menaxhimin e mbeturinave! Kjo situatë ka lënë disa pjesë të qytetit pa menaxhim të mbeturinave, duke krijuar një situatë të rëndë që kërcënon shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Komuna ka shkruar në Facebook se bojkoti i punëtorëve të “Pastrimit” dhe kaosi i krijuar janë pasojë e pakënaqësive të punonjësve ndaj kryeshefit. Tutje, Komuna u shpreh se protesta është ndërprerë, por “do të duhen disa ditë që të sanohet dëmi”.
“Për shkak të kapaciteteve të kufizuara dhe vështirësive të vazhdueshme brenda kësaj kompanie, në maj të këtij viti, ishim të detyruar të angazhojmë operatorë privatë për të marrë përsipër menaxhimin e mbeturinave në disa pjesë të kryeqytetit, për të siguruar qytetarët që të marrin shërbimet e merituara. Këta operatorë po vazhdojnë të punojnë me përkushtim dhe efikasitet në zonat ku janë përgjegjës. Dëshirojmë të sqarojmë për qytetarët se ky bojkot i nisur dje dhe kaosi i krijuar janë pasojë e pakënaqësive të punonjësve të kompanisë ‘Pastrimi’ ndaj kryeshefit të tyre. Protesta sot është ndërprerë, por sigurisht se do të duhet disa ditë që të sanohet dëmi nga ky bojkot. Ju sigurojmë që kjo situatë është një pasqyrë e thellë e problemeve të brendshme të kompanisë dhe jo e mungesës së angazhimit dhe përkushtimit tonë për kryeqytetin”, thuhet në reagim.
Punëtorë të ndërmarrjes publike “Pastrimi” kanë protestuar disa para Komunës së Prishtinës.
Ata po kërkojnë nga komuna që ta anulojë tenderin për angazhimin e pesë operatorëve privatë për grumbullimin e mbeturinave.