“Pastrimi” del me apel për banorët e lagjes Dardania në Prishtinë: Mbeturinat mos i hidhni jashtë kontejnerëve

E publikuar: 23/01/2026 22:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lagjja “Dardania” u përball ditët e fundit me një sasi të madhe mbeturinash të hedhura jashtë kontejnerëve, pavarësisht se kontejnerët ishin të zbrazur.

Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” Sh.A. bëri të ditur se ekipet e saj kanë intervenuar menjëherë dhe kanë larguar mbeturinat, duke theksuar se kjo situatë nuk është për shkak të mungesës së shërbimit, por për shkak të heqjes së pakontrolluar dhe të papërgjegjshme të mbeturinave.

“Kontejnerët janë për mbeturina shtëpiake – jo për mbeturina voluminoze, inerte apo pajisje të vjetra shtëpiake”, thuhet në njoftim.

Kompania u bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë më shumë kujdes dhe përgjegjësi ndaj hapësirës së përbashkët, duke theksuar se pastërtia e qytetit është përgjegjësi e përbashkët.

“Ne pastrojmë, por pa bashkëpunimin tuaj, kjo betejë bëhet shumë më e vështirë. Faleminderit të gjithë atyre qytetarëve që respektojnë rregullat dhe kontribuojnë çdo ditë për një qytet më të pastër”, përfundon njoftimi.