Pasi arkitekti përfundoi Katedralen, Cari rus e verboi atë,…: Ky është vetëm një nga 25 “sekretet e padëgjuara” të Rusisë (Foto)

E publikuar: 19/04/2018 00:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rusia, vendi me shtrirjen më të madhe gjeografike në botë dhe me mbulimin e plot 11 zonave të ndryshme orare, me një histori të pabesueshme, kulturë tejet të pasur dhe vende piktoreske, është me të vërtetë një vend i mahnitshëm dhe “shtëpia” e pijes më të famshme alkoolike në botë, Vodkës.

Por, ka edhe një anë tjetër të Rusisë, që është e mbushur plot e përplot me sekrete, përcjell TCH.

Më poshtë po ju zbulojmë disa prej gjërave më interesante në lidhje me këtë vend, që është më i madh edhe sesa vet Plutoni, planet xhuxh dikur i konsideruar si planeti i nëntë i sistemit diellor.

Meshkujt janë inferiorë përpara femrave

Në vitin 2014, Komiteti shtetëror i Statistikave në Rusi publikoi një fakt tejet interesant. Në Rusi jetonin 10.5 milionë femra më shumë sesa meshkuj. Problemi real nuk qëndron te lindshmëria më e lartë e foshnjave të seksit mashkull, pasi ata janë thuajse të barabartë me foshnjat femra. Shqetësimi nis në vitet e mëtejshme, kur meshkujt figurojnë të vdesin përpara kohe për shkak të stresit, problemeve me alkoolin apo aksidentet rrugore.

Tregu më i madh i Pepsit

Gjatë “Debatit në Kuzhinë” që u transmetua në TV mes zv.presidentit Richard Nixon dhe kreut të ish-Bashkimit Sovjetik, Nikita Khrushchev, në vitin 1959, të dy politikanët ndanë mes tyre pikëpamjet politike, por edhe një “Pepsi”. Pijet e lehta ishin thuajse inekzistente në Rusi asokohe, ndërsa në Shtetet e Bashkuara flitej vetëm për “Coca Cola”-n. Sot Rusia përbën tregun më të madh në botë ku shitet “Pepsi”.

Gratë në politikë

Disa gra kanë arritur të marrin role të rëndësishme në politikën ruse, pavarësisht nga fakti se Rusia konsiderohet një vend konservator. Njëra prej tyre është Natalia Poklonskaya, e lindur në Ukrainë. Ish-kryeprokurorja e Ukrainës është tashmë deputete e Dumës ruse, dhomës së ulët të Asamblesë Federale Ruse.

Bukuroshe të pafundme

Përfaqësimi i Rusisë në kompeticione të tilla si Miss Bota apo Miss Universi konsiderohet si një arritje e madhe mes vajzave ruse. Disa prej pretendenteve bukuroshe që Rusia ka prezantuar në arenën botërore kanë qenë femra të shumë profesioneve. Dikush inxhiniere energjie, një tjetër oficere policie, tjetra studente ekonomie globale, dikush studente e sistemeve kibernetike, disa kërcimtare, e kështu me radhë.

Taksa e mjekrës

Njëra prej gjërave më të çuditshme në historinë ruse mund të jetë implementimi i taksës së mjekrës. Në vitin 1698, perandori Pjetri I implementoi këtë taksë të pazakontë, në mënyrë që t’i bënte meshkujt rusë t’iu ngjanin më shumë meshkujve të Europës Perëndimore. Meshkujt duhej të paguanin taksë nëse do të dëshironin të rrisnin mjekrën, e nëse nuk e bënin diçka të tillë, atyre iu rruhej mjekra në publik nga policia ruse.

Qytetet sekrete

Anembanë Rusisë ekzistojnë “qytete sekrete”, për të cilat jo kushdo ka informacion. Këto qytete nuk gjenden në hartë dhe vizitat atje janë rreptësisht të ndaluara. Disa prej tyre janë përdorur dikur nga industritë kimike apo ushtarake. Këto qytete quhen “ZATO” dhe nënkuptojnë “entitete administrativo-territoriale të mbyllura”.

Kozmonautët e humbur

Në garën mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara ka pasur shumë viktima, veçanërisht gjatë dekadave të Luftës së Ftohtë. Të dyja vendet synonin të ishin më të mira sesa tjetra e të mund të dërgonin njeriun e parë në Hapësirë. Në vitin 1959, Rusia shënoi sukses me “Sputnik 1”, satelitin e parë artificial të Tokës, ndërsa në vitin 1961 me dërgimin e njeriut të parë në Hapësirë, Yuri Gagarin. Gjithsesi, këto suksese erdhën pas humbjes së dhjetëra kozmonautëve, që humbën jetën gjatë fluturimeve testuese apo aksidenteve në lëshimin e anijeve kozmike. Ata njihen si “kozmonautët e humbur”, ndërsa asnjë e dhënë mbi ta nuk dihet, pasi janë eliminuar.

Gjuha ruse

Nuk ekzistojnë nyjet shquese, si “the” apo “a” në anglisht, në rusishten e përdorur si gjuha mëmë për mbi 260 milionë banorë. Rusishtja, gjithsesi është gjuha më e folur amtare në botë, ndërsa renditet e teta në botë për nga numri i folësve (që e kanë mësuar).

Sheshi i Kuq

I njohur si “Krasnaya ploshchad” në rusisht, “Sheshi i Kuq” është më i madhi dhe më i njohuri i Moskës. Ndryshe nga ç’mund të mendojnë njerëzit, ai nuk ka aspak lidhje me komunizmin. Fjala “Krasnaya” nënkupton “e bukur” dhe përshkruan bukuritë e atij sheshi që u ndërtua për të shërbyer si qendra kryesore tregtare e Moskës. “Sheshi i Kuq” ndodhet mes Kremlinit, rezidencës zyrtare të presidentit të Rusisë, si dhe zonës historike tregtare “Kitai-gorod”. Kremlini dhe “Sheshi i Kuq” njihen që të dy nga UNESCO si vende të Trashëgimisë Botërore që prej vitit 1990.

Dimri rus

Rusia njihet gjithashtu për dimrin e saj të acartë, i cili e ka shpëtuar vendin nga pushtimi i të huajve në disa raste përgjatë historisë. Ushtria e Napoleonit u mposht nga dimri i madh rus. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ushtria e Hitlerit pësoi të njëjtin fat. Temperaturat e acarta krijojnë shumë stalaktite që mund të plagosin njerëzit. Në vitin 2010, mbi 150 njerëz u plagosën vetëm në Shën Pjetërburg, për shkak të rënies së këtyre “thikave” të akullta.

Dhoma e famshme prej qelibari

Fillimisht e ndërtuar në Prusi, dhoma me famë botërore e dekoruar me panele qelibari, e me gjethe ngjyrë ari, u zhvendos në Pallatin “Catherine” në periferisë së Shën Pjetërburgut, Tsarskoye Selo. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo u çmontua për t’u dërguar në Konigsberg të Gjermanisë, për t’u rindërtuar. Ajo që doli si rezultat u montua sërish në Pallatin “Catherine” e qëndroi aty nga viti 1979 deri në 2003-shin. Dhoma origjinale ishte mbi 55 metra katrorë dhe përmbante 6 tonë qelibar. Vendndodhja e saktë e kësaj dhome mbeti mister për shumë kohë.

Ora 2:10 pas mesnate

Në vitin 1917, pas mesnatës së 25 tetorit qeveria e përkohshme e Rusisë u arrestua nga bolshevikët. Në atë moment, pikërisht ora 2:10 e natës, Rusia u bë zyrtarisht një vend komunist. Për të nderuar këtë pjesëz të historisë, sot ekziston një orë speciale në Dhomën e Bardhë të Ngrënies në Pallatin Muzeal, të cilës i janë ndalur akrepat fiks në këtë orë dhe nuk ka punuar më prej mbi 100 vitesh.

Turistët në Rusi

Moska dhe Shën Pjetërburgut janë dy prej destinacioneve më popullore mes turistëve që vizitojnë Rusinë. Mijëra turistë vijnë në këto dy qytete çdo ditë. Rusia i “takson” turistët më shumë sesa banorët e vet. Për të vizituar Muzeun e Trashëgimisë, për shembull, turistët duhet të paguajnë 400 rubla, ndërsa për rusët bileta është 350 rubla. Pallati “Peterhof” ka një kosto për hyrjen prej 550 rublash për të huajt, e vetëm 400 rubla për vendasit.

Rusia, shtëpia e miliarderëve

Plot 84 nga njerëzit më të pasur të botës jetojnë në Moskë. Pasuria e tyre e përbashkët shkon deri në 366 miliardë dollarë. Këto para vijnë kryesisht nga kompanitë e gazit, ato të industrisë petrokimike, si dhe metalurgjia. Thjesht për krahasim, Nju Jorku ka 62 miliarderë me një pasuri të përbashkët prej 280 miliardë dollarësh.

Gazsjellësit

Rusia ka rezervat më të mëdha të gazit natyror në botë dhe rezulton eksportuesi më i madh i gazit. Plot 260 mijë kilometra është gjatësia e përgjithshme e tubacioneve, që Rusia i përdor për të eksportuar gaz. Në fakt, gazsjellësit rusë mund ta përshkojnë perimetrin e Tokës 6 herë.

Birra (nuk) është alkool

Deri në vitin 2011, Rusia nuk e konsideronte birrën si një pije alkoolike, pasi ajo përmban më pak se 10 për qind alkool.

Më i madhi, më i gjati, më i thelli

Rusia është shteti më i madh në botë, duke zënë rreth 10 për qind të hapësirës tokësore të planetit. Lumi “Volga” është më i gjati në Europë, ndërsa liqeni Bajkal është më i thelli në botë, që përmban thuajse 20% të furnizimit me ujë të freskët në mbarë botën.

Shahu në Rusi

Shahu, një lojë që kërkon mendim dhe strategji të kujdesshme, ka qenë popullor në Rusi prej shekujsh. Në vitin 1584, Cari Ivan IV u nda nga jeta teksa luante shah. Në vitin 1934, më shumë se 500 mijë rusë u regjistruan në programin shtetëror të shahut. Sot, gjysma e 20 shahistëve më të shquar të botës janë nga Rusia.

Statistikat famëkeqe

Rusia ka numrin më të lartë të vrasjeve të raportuara çdo vit. Në vitin 2012, për shembull, Rusia kishte një normë vrasjesh prej 9.2 për 100 mijë banorë.

McDonald’s në Rusi

Në vitin 1990, gjatë ditës së përurimit të dyqanit më të madh të “McDonald’s” në Moskë, mbi 30 mijë njerëz u shërbyen, duke vendosur kështu një rekord botëror. Disa njerëz pritën në radhë për mbi 6 orë për të provuar shijen e hamburgerëve më të famshëm në botë. Moska e kishte siguruar lejen për të ngritur një “McDonald’s” në vitin 1988.

Dita e shtatzënisë

I përballur me rënien e numrit të popullsisë, në vitin 2005 guvernatori i Ulyanovskit e shpalli 12 shtatorin si “ditën e shtatzënisë”. Çiftet lejohen të punojnë vetëm gjysmën e ditës së punës në këtë datë, e nëse arrijnë të sjellin në jetë një fëmijë 9 muaj më pas, ata përfitojnë një shpërblim: automjet, para “cash” ose pajisje shtëpiake. E besojeni apo jo, norma e lindshmërisë në qershor u trefishua që prej atëherë.

“Ushanka”

Dikur pjesë e uniformës dimërore të Forcave të Armatosura, “Ushanka” është një kapelë e veçantë me dy copëza që të mbulojnë edhe veshët, që identifikohet zakonisht me Rusinë sovjetike. Kapelat e leshta janë krijuar posaçërisht për të ftohtin rus dhe erërat e acarta, por për t’u dukur më të “ashpra”, bishtat që të mbulojnë veshët mund të kapen prapa kokës.

Besëtytnitë

Tradita ruse është e lidhur me shumë besëtytni (supersticione), disa prej të cilave lidhen me dhuratat. Nëse një dhuratë përmban lule, atëherë numri i tyre duhet të jetë tek. Kur lulet kanë një numër çift, ato përdoren vetëm nëpër funerale.

Vodka

Pija kombëtare e Rusisë është Vodka, por gjithashtu edhe një prej pijeve alkoolike më të famshme në botë. Çdo vit, rreth 23 mijë persona vdesin nga helmimi prej alkoolit, gjë që rezulton si norma më e lartë e vdekjeve prej alkoolit në botë.

Katedralja e Shën Bazilit

Sipas legjendës, pasi arkitekti Postnik Yakovlev përfundoi Katedralen e Shën Bazilit, Cari rus “Ivani i Tmerrshëm” e verboi atë, në mënyrë që të mos ndërtonte dot asgjë tjetër të bukur. Kjo kishë ndodhet në “Sheshin e Kuq” në Moskë dhe tashmë shërben si muze. Ajo ka formën e flakëve të një zjarri të madh që ngrihen përmbi qiell, e konsiderohet si një nga ndërtimet më të bukura në botë.