Drejtori i Policisë rajonale të Ferizajit, nënkolonel Gazmend Hoxha me bashkëpunëtorë, sot u ka dorëzuar policëve sektorial “pasaportat e policëve” të cilat do të ju shpërndahen qytetarëve nëpër sektorë.
Në këto “pasaporta” janë të dhënat e policit i cili e mbulon sektorin si: nr. i telefonit,fotoja e udhëheqësit të sektorit, mënyra e kontaktit, adresa elektronike, harta e sektorit etj, transmeton Klan Kosova.
Sipas një komunikate për media, qëllimi i këtij projekti është që policët e sektorit të jenë sa më afër me banorët e qytetit dhe fshatrave, të cilët u përkasin këtyre sektorëve dhe të kenë mundësi që t’i paraqesin brengat dhe shqetësimet e tyre.
Ky projekt ka për qëllim edhe rritjen e bashkëpunimit qytetar-polici, ku qytetari do të trajtohet si partner i barabartë në zgjidhjen e problemeve dhe përmirësimin e jetës në përgjithësi.