Pas vizitës në Bosnjë e Kosovë, Mark Rutte sot shkon në Shtëpinë e Bardhë për takim me Trumpin

E publikuar: 13/03/2025 08:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mark Rutte shkon sot në Shtëpinë e Bardhë për një nga takimet më të rëndësishme midis një sekretari të përgjithshëm të NATO-s dhe drejtuesit të tij kryesor që nga themelimi i aleancës ushtarake.

Ky takim vjen pasi Donald Trump ka kërcënuar  të ndalojë mbrojtjen e aleatëve të NATO-s nëse nuk rrisin shpenzimet e mbrojtjes, të aneksojë Grenlandën nga aleati i NATO-s, Danimarka dhe të tërhiqet krejtësisht nga aleanca 32-anëtare. SHBA-ja është deri tani kontribuuesi më i madh i NATO-s përsa i përket shpenzimeve dhe aftësive të mbrojtjes.

Rutte do të ulet në tavolinë me Trump në një kohë kur zyrtarët evropianë prej javësh kanë shkëmbyer me nervozizëm zërat për një mundësinë që SHBA të tërheqë trupat amerikane nga kontinenti, ndërprerjen e stërvitjeve të përbashkëta me aleatët ose një reduktim drastik të angazhimeve të SHBA-së për sigurinë.

Shefi i NATO-s të hënën dhe të martën qëndroi për vizitë në rajonin tonë. Ai qëndroi fillimisht në Bosnjë e Hercegovinë, e më pas vizitoi edhe Kosovën, ku pati takime të ndara me presidenten e vendit, Vjosa Osmani si dhe kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Takimet u cilësuan si rikonfirmim i angazhimit të Kosovës për siguri në rajon dhe më gjerë.

Mesazhet kryesore të tij ishin se KFOR mbetet faktor stabiliteti në Kosovë bashkë me SHBA-në dhe që NATO do të vazhdoj të kontribuojë për sigurinë në vend dhe rajon, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Rutte tha se aleanca është e gatshme t’i përgjigjet çdo zhvillimi të sigurisë në Kosovë. Por, shefi i NATO-s u kërkoi udhëheqësve që të veprimet që ndërmarrin të mos jenë në kundërshtim të angazhimeve paraprake, teksa kërkoi nga Kosova dhe Serbia fleksibilitet dhe kompromise në dialog.

“KFOR është plotësisht i gatshëm t’i përgjigjet çfarëdo zhvillimit të sigurisë. Në këtë kuptim, presim të vazhdojmë bashkëpunimin mes Prishtinës dhe KFOR-it, në përputhje me angazhimet e dekadave të fundit.”, u shpreh ai gjatë një konference me presidenten Osmani.

Ai po ashtu tha se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara në aleancë dhe në misionin paqeruajtës në Kosovë, KFOR.

Gjatë një tryeze diskutimi në Prishtinë më 11 mars me gazetarë, pasi zhvilloi takime me krerët shtetërorë, Rutte tha misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, ofron siguri dhe stabilitet për të gjitha komunitetet, por shtoi se zgjidhja për paqe afatgjatë është politike.

“SHBA-ja është e përkushtuar tërësisht në KFOR, në NATO. Presidenti [amerikan, Donald] Trump para dy javësh në Zyrën Ovale u takua me presidentin francez dhe kryeministrin britanik dhe u përkushtua për nenin 5 dhe NATO-n. E di që SHBA-ja është e përkushtuar në KFOR”,tha Rutte.