Që nga dita e enjte, në bllokun e klinikave Kirurgjike në QKUK, janë pezulluar rastet e operacioneve të planifikuara (jo urgjente). E gjithë kjo pas vdekjeve të dy pacientëve në këtë qendër si pasojë e gazit medicinal, raste këto të cilat janë duke u cilësuar si vdekje të dyshimta.
Ndërkohë, QKUK pas rastit të këtyre vdekjeve ka vendosur që ta bëjë sterilizimin e të gjitha sallave operative të bllokut të kirurgjisë, bëri me dije Shemsi Veseli, anëtar i Bordit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).
Veseli për Gazetën Express deklaroi se sterilizimi, deratizimi dhe dezinfektimi i këtyre sallave do të përfundoj sot. I pyetur së perse pikërisht pas këtyre rasteve QKUK ka vendosur ta bëjë sterilizimin e sallave, Veseli tha se ky është një proces i rregullt.
“Në këtë rast nuk është në pyetje se aparaturat nuk kanë qenë sterile, por ne e shfrytëzuam rastin se meqenëse është dhënë urdhri të ndërrohen bombolat, ta fitojmë kohën dhe në anën tjetër të bëjmë edhe njëherë sterilizimin, deratizimin dhe dezinfektimin e tyre”, deklaroi ai, duke theksuar se rastet emergjente të operacioneve janë duke u kryer.
Lidhur me ndodhitë e fundit në QKUK, zyrtarë nga Policia e Kosovës dje gjatë ditës kanë deklaruar për Express se prokuroria e shtetit tashmë ka nisur hetime lidhur me vdekjen e dy pacientëve.
Ndërkaq, kompania “Bubeari Komerc” nga Kaçaniku, e cila tash e disa vite është duke e furnizuar Qendrën Klinike Universitare të Kosovës me gazra medicinalë, po hetohet pas dyshimeve të ngritura nga Inspektorët e Ministrisë së Shëndetësisë se gazi oksidol mund të ketë qenë shkaktar i vdekjes së katër personave gjatë operacioneve.
















