Tregjet globale të aksioneve dhe dollari amerikan kanë shënuar rritje gjatë ditës së djeshme, pasi agjencia FBI tha se hetimet e fundit ndaj kandidates demokrate për presidente, Hillary Clinton, lidhur me emailet e saja, derisa ishte sekretare e shtetit, nuk kanë rezultuar me akuzë penale.
Aksionet në Wall Street, që kishin rënë gjatë periudhës më të gjatë në 36 vitet e fundit, javën e kaluar, pasi FBI shpalli se kishte filluar hetime të reja, janë kthyer në mënyrë të fuuqishme, me përfitimet më të mëdha në tetë muaj.
Nga ana tjetër, dollari amerikan është rritur për 0.7% në krahasim me një grup të monedhave, pasi kishte shënuar rënie 1.3% gjatë javës së kaluar.
Derisa reagimi i tregjeve ndaj zgjdhjeve të sotme presidenciale në Shtetet e Bashkuara e ka favorizuar zonjën Clinton, e cila udhëheq ndaj rivalit të saj republikan, Donald Trump, në pjesën më të madhe të hulumtimeve të opinionit, analistët thonë se aktualisht është e qartë se tregjet preferojnë vazhdim të agjendës së presidentit Obama, në krahasim me “paqartësinë”, e cila mund të ndodhë nga presidenca e paparashikueshme e republikanit, Donald Trump. /Rel/