Volkswagen Group menjëherë pas Mercedes-Benz deklaroi ditën e djeshme se do shndërrojë çdo model të prodhuar nga kompania dhe filialet e saj në makina elektrike deri në 2030-ën.
Grupi është shtëpia e disa prej markave më të njohura sot në botë si Audi, Bentley, Lamborghini, Porsche dhe vetë Volkswagen.
Ofrimi i çdo modeli që nga 911 tek një Tiguan apo Q7 me një motor elektrik do të ketë një impakt të lartë në numrin e makinave elektrike në rang global.
Sipas CEO së Volkswagen, ky transformim do ti kushtojë kompanisë 84 miliard dollar. Jo vetëm që do të shpenzohen miliarda në zhvillimin e modeleve elektrike por 60 miliard do të investohen në ndërtimin e katër fabrikave të baterive.
Deri më 2025-ën, grupi Volkswagen do të ofrojë 80 modele elektrike. Matthias Mueller tha se motorët me djegie të brendshme nuk kanë vdekur por do të shërbejnë si një urë e cila do të mundësojë kalimin në makina elektrike.
Ditën e djeshme Daimler dhe filiali i saj Mercedes-Benz thanë se do të elektrifikojnë linjën e makinave deri më 2022. Volvo, Jaguar, dhe Hyundai gjithashtu kanë premtuar braktisjen e makinave me motorë me djegie të brendshme. /PCWorld Albanian