Në Kosovë janë shënuar dy rastet e para të koronavirusit.
Virusi famëkeq që ka përfshirë gjithë botën, COVID19 ka arritur edhe në Kosovë.
Sot janë testuar mbi 15 persona nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, derisa 2 prej tyre kanë rezultuar pozitiv.
Lidhur më këtë, ka reaguar edhe Presidenti Hashim Thaçi. Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, që t’i ndjekin me përpikëri instruksionet e dhëna nga institucionet tona përgjegjëse
Reagimi i plotë:
Të nderuar qytetarë,
Më herët u njoftova nga institucionet e vendit se tashmë janë konfirmuar rastet e para me virusin COVID19 në Kosovë. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, që t’i ndjekin me përpikëri instruksionet e dhëna nga institucionet tona përgjegjëse.
Kërkoj nga ju që ta menaxhojmë edhe këtë situatë pa panik, në koordinim dhe me kujdes të shtuar për njëri-tjetrin.
Ne, së bashku, do t’ia dalim! HTH.