Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vlerëson se aktgjykimi i plotë i publikuar sot nga Gjykata Kushtetuese përbën një zhvillim të rëndësishëm drejt rivendosjes së rendit kushtetues dhe institucional, në funksion të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Përmes këtij vendimi, sipas KDI-së, Gjykata ka sqaruar kufijtë kushtetues të seancës konstituive dhe ka konstatuar se veprimet e ndërmarra dhe seancat e mbajtura pas 26 qershorit ishin në kundërshtim me aktgjykimin e mëparshëm KO124/25.
KDI po ashtu vlerëson se është konstatuar se Kryesuesi i seancës, në ushtrimin e kompetencave të tij, ka tejkaluar mandatin kushtetues, duke ndryshuar rendin e ditës dhe shtyrë përpara veprime që bien ndesh me detyrimet e përcaktuara qartë nga Gjykata.
“Me këtë vendim, është rikthyer qartësia kushtetuese mbi rolin dhe përgjegjësitë e të gjitha palëve në këtë fazë të ndjeshme politike”.
KDI i bën thirrje Kryesuesit të seancës konstituive, z. Avni Dehari, që të thërrasë sa më parë vazhdimin e seancës konstituive dhe të përmbushë detyrimet që rrjedhin prej aktgjykimit, duke ftuar grupin më të madh parlamentar që të propozojë kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit, si dhe të procedojë me votimin e hapur. Kjo përbën një detyrim të qartë, që nuk lë vend për interpretime politike apo zvarritje të mëtutjeshme procedurale.
“Gjithashtu, u bëjmë thirrje subjekteve parlamentare dhe të gjithë deputetëve që të veprojnë në përputhje me mandatin e tyre dhe me përgjegjësinë e tyre kushtetuese për të siguruar funksionalitetin e Kuvendit, si një institucion thelbësor i rendit demokratik në vend”, thuhet në reagimin e KDI-së.
Sipas KDI-së, Kuvendi duhet të rikthehet në funksion pa vonesa të mëtejme. Procesi i konstituimit nuk mund të mbetet peng i kalkulimeve politike apo përpjekjeve për interpretim të situatës përtej konturave që tashmë janë qartësuar nga Gjykata.
Deputetët e shpërfillën një aktgjykim të mëhershëm të Kushtetueses të 26 qershorit, e cila pati kërkuar konstituimin e legjislaturës së nëntë brenda 30 ditësh. Por, gjykata nuk pati treguar se cilat do të jenë pasojat e mos zbatimit të këtij aktgjykimi.
Kosova është futur në krizë politike pasi nuk ka arritur të formojë institucionet e reja që prej mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt.
Procesi ka ngecur te votimi për kryetar të kuvendit, pozitë për të cilën Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar Albulena Haxhiun por, ajo nuk ka marrë 61 votat e nevojshme.


















