Pas një periudhe 27-vjeçare është zbardhur vrasja e dy shqiptarëve, Haki Avduti dhe Jakup Avduti, e ndodhur në Beograd.
Autor i dyshuar i këtij krimi është Zoran V. (48), i cili u arrestua së fundmi.
Sipas medias serbe Blic, ngjarja ka ndodhur më 26 janar 1998, në një ndërtesë në rrugën “Zmaj Jovina”, ku dy viktimat janë qëlluar për vdekje në katin e katërt të një banese. Prokuroria më e lartë publike në Beograd ka konfirmuar se ekziston dyshimi i bazuar se Zoran V., me maskë të zezë dhe doreza, ka shtënë në drejtim të Hakiut dhe Jakupit, kur ata ishin afruar pranë derës së banesës numër 14.
Pas krimit, autori ka larguar dhe hedhur kapuçin dhe dorezat që kishte përdorur për të fshehur identitetin e tij.
Zoran V. ka jetuar dhe punuar në Novi Sad për 27 vite, deri kur u arrestua për një rast të lidhur me drogën dhe armët. ADN-ja e tij, e marrë gjatë këtij hetimi, ka lidhur autorin e dyshuar me vrasjen e dy shqiptarëve.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka ngritur aktakuzë ndaj tij për veprën penale të “Vrasjes së rëndë”.