Pas 26 vjetësh, Peja nuk shënon asnjë vrasje në 2025-ën, Vuçetaj: E rëndësishme për mua ka qenë siguria e qytetarëve

E publikuar: 12/01/2026 13:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas 26 vjetësh, komuna e Pejës, shënon vitin e parë pa asnjë vrasje, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë për media, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, ka prezantuar rezultatet e punës për vitin 2025, duke e cilësuar këtë vit si një nga më sfiduesit, por edhe ndër më të suksesshmit për institucionin që ajo drejton.

Në konferncë ajo ka treguar se për 25 vjet në rajonin e Pejës u shënuan 203 vrasje me 227 viktima.

“Çka ka qenë e rëndësishme për mua ka qenë siguria e qytetarëve. Siguria e pasurisë së tyre, mirëqenia e tyre e në veçanti luftimi i veprave penale kundër jetës dhe trupit që rrezikojnë jetën, pronën dhe mirëqenien e pasurinë e qytetarëve tanë e në veçanti qetësinë e njerëzve dhe qytetarëve tanë. Jemi të vetëdijshëm që për të luftuar këto vepra penale duhet një polic aktive, hetim të shpejt, efektiv dhe gjykim i drejtë dhe i paanshëm për të gjithë autorët. Duke ditur që regjioni jonë ka qenë më i ndjeshëm në aspektin e veprave penale të rëndë veçanti të vrasjeve. Aty ku shtrihet juridiksioni dhe kompetenca lëndore e territoriale kemi punuar në këtë drejtim dhe sot në praninë  e juaj kam nderin, kënaqësinë dhe privilegjin të prezantojë që pas 26 vjetësh pas luftës viti 2025 evidentohet si viti i vetëm pa asnjë vrasje në rajoni e Pejës. Kjo ka ardh si rezultat i mirëkordinimit institucional dhe thellimit ndërinstitucional me Policinë e Kosovës dhe mekanizmat tjetër institucional dhe pa minimizuar asnjëherë bashkëpunimin e ngushtë edhe me qytetarët tanë.  203 vrasje për 25 vite, me 227 viktima për 25 vitesh, është jashtëzakonisht shumë për një rajon siç jemi ne e mos të flasim sa e dhimbshme për familjarët që i kanë përjetuar këto”, tha ajo.

Ajo tha se kjo ka bërë që ta rendit Pejën si rajonin më të qetë.

“Ashtu siç shihet viti 2025 është zero vrasje e zero viktima. Kjo tregon se nga rajoni më i nxehtë me më së shumti raste dhe me rastet më të ndjeshme dhe komplekse, falë  punës dhe angazhimit tonë të përbashkët  kemi arrit që vitin 2025 me plotë të drejtë ta marrim epitetin si rajoni më i qetë dhe prokuroria e vetme në sistem prokurorial pa asnjë rast vrasje”, tha ajo.