Partizani vazhdon përgatitjet për Krasnodarin

E publikuar: 21/08/2016 21:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Humbja 4-0 në ndeshjen e parë të play-offit të Europa League ndaj Krasnodarit nuk ka lënë një shije të mirë te Partizani që tashmë ka fare pak shanse për të avancuar në fazën e grupeve të këtij kompeticioni. Megjithatë objektivi i skaudrës kryeqytetase është të bëjë një paraqitje sa më të mirë në ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet të Enjten e ardhshme në orën 19:30 në stadiumin Elbasan Arena, në mënyrë që t’i bëjë një mbyllje sa më të mirë aventurës europiane që për Partizanin në këtë sezon kulmoi me kualifikimin në ruandin e tretë të Uefa Champions League. Pas kthimit nga Rusia përgatitjet e skuadrës vazhdojnë me intensitet. Partizani këtë të Dielë zhvilloi seancën e rradhës stërvitore në ambientet e kompleksit Internacional në Pezë Helmës.

Asnjë problem për stafin teknik pasi të gjithë futbollistët ishin në dispozicion të trajnerit Adolfo Sormani dhe ndihmësve të tij. Në takimin e kthimit ndaj Krasonodarit, Të Kuqëve u rikthehet nga pezullimi prej dy ndeshjesh, mbrojtësi i majtë Renaldo Kalari mungesa e të cilit u ndje shumë te Partizani në sfidën e dytë ndaj Salzburgut në Champions dhe në ndeshjen e parë ndaj skuadrës ruse. Për të zëvendësuar Kalarin, trajnerit Soramani iu desh të improvizonte në krahun e majtë të mbrojtjes në ato dy sfida duke aktivizuar fillimisht Atandën në atë pozicion dhe më pas Emiliano Vilën. Trajneri italian në seancën e fundit stërvitore i kushtoi më shumë rëndësi anës taktike, ndërkohë që personalisht punoi më tepër me fazën mbrojtëse duke u dhënë shumë këshilla lojtarëve të prapavijës.