Partizani kërkonte fitoren e tretë radhazi dhe që në fillim këmbënguli për ta marrë atë duke marrë dhe kontrollin e lojës.
Partizani nuk e lëshon vendin e tretë. Të kuqtë fituan 1-0 në “Qemal Stafa” ndaj Laçit, me një gol të Raçiçit, që përfitoi nga një gabim i Mockës për t’i dhënë suksesin të kuqve pas një ndeshje të dominuar. Partizani kërkonte fitoren e tretë radhazi dhe që në fillim këmbënguli për të marrë atë duke marrë dhe kontrollin e lojës. Sinjalin e parë të kuqtë e dhanë në të 10-tën me Vilën por Mocka priti mirë. Dueli mes të dyve u përsërit dhe në të 23-tën me Mockën që doli sërish fitimtar duke ndalur golin e Vilës. Në minutën e 30-të, Raçiç pati mundësinë më të mirë pas një gabimi të Buljanit, por serbi goditi mbi traversë. Laçi për herë të parë zbriti në portën e Partizanit në të 35-tën, por Sosa nuk goditi saktë. Të kuqtë kërkonin të shkonin në dhomat e zhveshjes në epërsi dhe në të 44-trën Bylykbashi për pak sa nuk realizoi, por Mocka sërish fluturoi për të larguar topin në goditje këndi. Pjesa e dytë nisi sërish me Partizanin më këmbëngulës, që rrezikoi në të 52-tën me Vilën, por topi përfundoi jashtë, ndërkohë që të kuqtë pretenduan dhe për një prekje me dorë të Shetës. Në të 53-trën, Mocka u tregua sërish vendimtar duke mos lejuar Raçiç të shënojë. Kurbinasit, u kundërpërgjigjën më në fund me Mitren, që nuk shfrytëzoi sic duhet zbritjen e të tijve. Me kalimin e minutave u shtua dhe dëshira e Partizanit për gol, por nuk u rregullua koordinimi i Racitit, që në të 57-tën sërish nuk shfrytëzoi sic duhet një pasim të Vilës. Dhe kur shënjestra ishte e saktë si në rastin e Trashit, Mocka e kishte gati përgjigjen. Seria e rasteve të humbura nga Racic vazhdoi dhe në të 65-tën, kur sërish goditi jashtë nga një pozicion i mirë. Mbrëmja negative e Racic ndryshoi në të 69-tën, kur lojtari më i mirë i Laçit deri në ato momente, Mocka nuk largoi sic duhet një top me Racic që devijoi për në rrjetë topin e 1-0.
Racic rrezikoi në të 83-tën të shënonte dhe golin e dytë, por goditja e tij përfundoi jashtë kuadratit. 1-0 për Partizanin në fund që merr 3 pikë të rëndësishme duke ruajtur vendin e tretë por dhe diferencat me kreun.