Partizani “asist” Skënderbeut për kreun ()

E publikuar: 13/09/2016 13:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Skënderbeu e nisi aty ku e la, i vetëm në krye të renditjes në krye të Kategorisë Superiore. Ekipit kampion në fuqi i mjaftuam vetëm dy javët e para për t’i lënë pas rivalët për titull, ndonëse është ende herët për thënë se ka nisur shkëputjen drejt titullit të shtatë radhazi. Korcarët falë eksperiences dhe cilësisë morën tri pikë të lehta ndaj Korabit në “Selman Stërmasi”. Bajram Jashanica dhe Hamdi Salihi mjaftuan për një fitore të pastër 0-2, por duhet pranuar se Korabi krijoi disa raste të mirë për shënim, por që nuk u shfrytëzuan nga sulmuesit.

I vetmi ekip që mund të qëndronte me të njëjtën kuotë pikë me Skënderbeun ishte Partizani, mirëpo të kuqtë zhgënjyen shumë edhe në takimin e javës së dytë në “Elbasan Arena” duke barazuar 0-0 me Vllazninë. Në sfidën me shkodranët nuk mund të ndodhte që një tjetër 11-metërsh i dyshimtë të vendoste fituesin në minutat shtesë. Tifozët janë të irrituar me stafin për zgjedhjet, pasi të kuqtë po shfaqin të njëjtat simptoma para portës kundërshtare.

Kukësi bëri detyrën në “Zeqir Ymeri” me Teutën. Fitoi 3-0 me dy gola të Pejicit dhe një finalizim të Grecës, dhe ruan diferencën prej dy pikësh me Skënderbeun të krijuar që në javën e parë. Edhe pse rrugën e suksesit verilindorëve ia hapi një 11-metërsh shumë i dyshimtë, shifrat e thellë në njëfarë mënyrë reflektojnë supermacinë e formacionit të Gjokës.

Rezultati më befasues i javës së dytë u arrit në Vlorë, aty ku Flamurtari shkatërroi 5-0 Luftëtarin. Fitorja e vlonjatëve ishte mëse e pritshme, por kurrsesi me këto shifra pas paraqitjes pozitive të skuadrës gjirokastrite ndaj Partizanit.

Tirana dhe Laci duket se janë abonuar me rezultatin 0-0. Bashkë me Vllazninë përbëjnë treshen e kampionatit që në dy javët e para as kanë shënuar dhe as kanë pësuar. Sigurisht që të mbrojtja e mirë është një lloj garancie për rezultat pozitiv, por mungesa e fitores detyrimisht do t’i mbante skuadrat në pjesën e poshtme të tabelës.