Partitë parlamentare shqiptare po shprehën se janë të gatshme për organizimin e zgjedhjeve të reja, por vetëm Lëvizja Vetëvendosje po kërkon që ato të mbahen. Në partitë në pushtet, LDK e AAK, thonë se do të vazhdojnë qeverisjen, por nëse krijohen rrethanat i kanë të përgatitura strukturat për zgjedhje. Ndërsa në PDK, përkundër gatishmërisë shprehën se zgjedhjet e reja nuk janë të nevojshme.
Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri thotë se ka shumë arsye pse në këtë kohë nuk duhet të shkohet në zgjedhje, por nëse duhet të vijë në atë pikë, partia e tij është e gatshme.
“Patjetër që ne jemi të gatshëm, por janë shumë arsye që mendojmë që nuk ka nevojë të shkojmë në zgjedhje. Jo nga fakti që ne udhëheqim qeverinë dhe jemi në pushtet, por jemi të bindur që shumë zhvillime janë të natyrës që procesi zgjedhor nuk do t’i ndihmonte, por sa i përket gatishmërisë nuk diskutohet se LDK-ja është gjithmonë e gatshme, por besojmë që do të arrijmë edhe më tej të qeverisim dhe të ketë një qeverisje stabile dhe për të ardhmen nuk mund të parashikojë”, u shpreh Beqiri.
Në linjë të njëjtë me Beqirin është edhe deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, e cila thotë se përderisa nuk ka qarje të koalicionit, nuk ka nevojë për zgjedhje të reja. Ajo thekson se vazhdimisht janë duke punuar me strukturat dhe elektoratin për të qenë gjithmonë në gatishmëri.
“Koalicioni po funksionon nuk e kemi ndonjë qarje të koalicionit, por nëse sjellën rrethanat që duhet të shkojmë në zgjedhje, Aleanca punon vazhdimisht me strukturat e veta. Jemi në kontakt me elektoratin, strukturat dhe jemi të gatshëm për procesin zgjedhor nëse vinë rrethanat që të shkojmë në zgjedhje….në këto rrethana është një koalicion stabil, nëse kemi një koalicion stabil është e pakuptim të shkohet në zgjedhje, por në cilëndo rrethanë Aleanca është e gatshme për zgjedhje të reja”, u shpreh Kadrijaj.
Kundër zgjedhjeve të reja për KosovaPress u shpreh edhe nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, por i cili thotë se për një proces të tillë janë gjithmonë të gatshëm.
“PDK-ja çdo herë është e gatshme sidomos kur është në opozitë për të reja dhe parakohshme. Problemi është se cili do të ishte synimi i zgjedhjeve të parakohshme politikisht. Unë mendoj që krejt çka duhet të bëjmë është të përgatitemi për zgjedhje lokale në vitin 2021”, thotë Hoxhaj.
Por pavarësisht këtyre, anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu duke shprehur gatishmërinë për zgjedhje të reja, thotë se po punojnë me ngulm të “heqin qafe” qeverinë Hoti, që sipas saj, po e rrezikon Kosovën.
“Qeveria aktuale nuk ka legjitimitet, nuk e ka as mbështetjen nga Kuvendi i Kosovës, duke pasur parasysh se nuk i ka as 61 deputetë që e mbështesin…ka mungesë të legjitimitetit edhe pse nuk përfaqëson vullnetin e popullit të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit. Prandaj në këto rrethana nuk është se do të shfrytëzojmë ndonjë situatë, por do të punojmë me ngulm dhe do të kemi angazhim të madh për të hekur qafe këtë qeveri që po e rrezikon jashtëzakonisht Republikën e Kosovës”, thotë ajo për KosovaPress.
Pikërisht një vit më parë në Kosovë janë organizuar zgjedhjet e parakohshme./.E.Zeqiri/