Anëtarët e partive politike shpeshherë akuzojnë njëra-tjetrën për mungesë të demokracisë së brendshme. Por, sa demokratike janë ato, kjo u pa në zgjedhjet e brendshme që zhvilluan sivjet dy partitë politike: Vetëvendosje dhe LDK. Njëjtë pritet të shkojë edhe Kuvendi i AAK-së, ku Ramush Haradinaj do të konfirmohet edhe për një mandat për kryetar të saj, siç ndodhi dy vite më parë edhe me të parin e PDK-së, Hashim Thaçin.
Sipas analisteve, gara për të parin e VV-së me vetëm një kandidat dhe zgjedhja e kryetarit te LDK-së me aklamacion, nuk flasin për demokracinë që parashihet me statut, e kjo nuk jep shpresa as për zhvillimin e demokracisë në vend.
Gazetari Bajrush Morina, demokracinë e brishtë brenda partive politike e ndërlidh me nivelin e qytetarëve të Kosovës, “të cilët s’kanë interesim me i mbajt nën kontroll partitë politike”, dhe heshtjen e tyre karshi liderëve të partive që i votojnë.
Analisti Albert Krasniqi, demokracinë e brendshme të partive politike e quan vetëm ambalazhim që tentojnë me ua shitë qytetareve.
“Nëse shikohet organizimi i brendshëm te subjektet politike, ato u ngjasojnë ndërmarrjeve private e familjare”, tha ai.
Ndërkaq, analisti Visar Berisha thotë se demokracia mund të arrihet vetëm me presionin e qytetarëve. /Rrokum/