Ka mbetur edhe një vit deri në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor të vitit 2017, kur edhe do të përfundoj mandati i kryetarëve të komunave të Kosovës.
E deri më tani, në media janë përmendur disa emra potencial të fytyrave të njohura politike për të marr drejtimin e kryeqendrës së Kosovës, Prishtinës, me të cilën aktualisht udhëheq Shpend Ahmeti i Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan Indeksonline.
Mirëpo, këta emra janë mohuar nga partitë më të mëdha, të cilat thonë se ende nuk kanë vendosur se çfarë kandidatë do të garojnë në zgjedhjet lokale.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova ka thënë për Indeksonline se në parti ende nuk kanë diskutuar për këtë çështje.
“As që e kemi shqyrtuar dhe as qe kam ide, mirëpo i vije vakti edhe kësaj pune, nuk kam përgjigje tjetër. Kemi kandidat boll, kqyrim e qesim dikë natyrisht, nuk e lëmë pa kandidat”, ka thënë shkurt Rugova.
Edhe anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj thotë se partia nga e cila vije ai, ende nuk ka ndonjë kandidat.
“AAK ende nuk ka vendosur për kandidatin për kryetar të Prishtinës”, ka thënë Nitaj për Indeksonline.
Në garë për kryetar të Prishtinës do të jetë edhe një kandidat nga Nisma për Kosovën, mirëpo se kush do të jetë do ta bëjnë publike me kohë. Kështu bën të ditur, sekretari i Nismës, Bilall Sherifi.
“Sigurisht që do të dalim me kandidat edhe për Kryetar të Prishtinës. Ndërsa, kush është ai do ta bëjmë publike në kohën e duhur”, ka thënë në një prononcim Sherifi.