Partia e Serbëve të Kosovës ka thënë se është dëshmuar të dielën se “Qeveria e Albin Kurtit nuk mund të organizojë zgjedhje në veri të Kosovës” dhe se ndikimi që Lëvizja Vetëvendosje ka në këtë pjesë është si i “një dasme të vogël të dobët”.
Në një komunikatë për media, nga kjo parti është thënë se “kjo komedi zgjedhore nuk do ta ketë vazhdimin e saj dhe se QUINT-i e ka kuptuar qëndrimin dhe vendimin e serbëve në veri të Kosovës”.
“Falënderojmë të gjithë mbështetësit dhe anëtarët e partisë sonë. Ne kemi treguar se serbët s’mund të detyrohen kundër serbëve. Qeveria e Albin Kurtit ka treguar se nuk është në gjendje të organizojë zgjedhje në veri të Kosovës dhe se ndikimi i lëvizjes së tij Vetëvendosje në veri matet me një dasmë pak më të dobët. Na mbetet të shpresojmë se kjo komedi zgjedhore nuk do ta ketë vazhdimin e saj dhe se QUINT-i e ka kuptuar qëndrimin dhe vendimin e serbëve në veri të Kosovës. Falënderojmë Qeverinë e Serbisë dhe presidentin Aleksandër Vuçiq që nuk na sulmuan dhe që u treguan të durueshëm dhe besuan se do të marrim vendimin e duhur në interes të serbëve dhe të paqes”, ka shkruar Partia e Serbëve të Kosovës në Facebook.
Jabllanoviq ishte kandidat për kryetar në Leposaviq, por hoqi dorë nga gara.
Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar garën për kryetarë të komunave të Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës ka fituar në Zveçan dhe Zubin Potok.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq, fitoi 66.5 për qind të votave, apo 519 vota gjithsej. Ai la pas kundërkandidatin e tij nga PDK-ja, Taulant Kelmendin, me 186 vota.
Sipas rezultateve preliminare, Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka fituar 73.5 për qind të votave në Leposaviq, apo 100 vota gjithsej. Kurse kundërkandidatët e tij, Albulena Behluli-Hetemi nga PDK-ja, arriti t’i grumbullojë vetëm 34 vota.
Në Zubin Potok, Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës mori 52.1 për qind të votave, apo 196 vota duke lënë pas kandidatin nga LVV-ja, Flatron Hasanin, me 180 vota apo 47.9 për qind.
Ndërkaq, në Zveçan, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës fitoi 60 për qind të votave apo 114 vota, duke lënë pas kandidatin nga LVV-ja, Fetah Pecin, me gjithsej 71 vota.
Kandidatja e pavarur në këtë komunë, Sllagjana Pantoviq – që ishte kandidatja e vetme serbe – fitoi pesë vota, apo 2.6 për qind.
Në këto zgjedhje votuan 1.567 qytetarë apo 3.47 për qind e trupit votues