Parlamenti në entitetin serb të Bosnjës, Republikën Srpska, hodhi poshtë një propozim nga një delegat boshnjak për të miratuar një rezolutë që dënon masakrat në Srebrenicë si gjenocid.
Kuvendi Popullor i Republikës Serbe ditën e martë hodhi poshtë një propozim nga delegati boshnjak Senad Bratiq për të vënë një rezolutë në agjendën që dënon masakrat e vitit 1995 në Srebrenicë, kur forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 7,000 burra dhe djem.
Bratiq u bëri thirrje ligjvënësve të tregojnë “frymën e tyre demokratike” duke lejuar votimin dhe tha se një rezolutë që pranon se vrasjet në Srebrenicë 20 vjet më parë përbënin gjenocid do të ishte “një parakusht për ekzistencën e përbashkët në rajon”.
“Unë besoj se është koha të bisedojmë për të kaluarën me fakte. Shpresoj që ju të gjithë një ditë do të kuptoni se ne duhet të ngrihemi mbi refuzimet e vogla, pavarësisht se kush janë viktimat,” tha Bratiq.
Ai vuri në dukje se gjykatat në Bosnjë dhe Hercegovinë si dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Gjykata e Hagës i kanë përcaktuar të gjitha masakrat e Srebrenicës si gjenocid.
Çështja nëse vrasjet në Srebrenicë përbëjnë gjenocid është kontestuar ashpër nga serbët e Bosnjës dhe Serbia këtë vit rreth përvjetorit të masakrave.
Një rezolutë e Kombeve të Bashkuara, e cila kërkon ta caktojë 11 korrikun si ditë përkujtimore për viktimat e Srebrenicës u bllokua nga Rusia pas kërkesës së Serbisë.
Parlamenti i entitetit serb të Bosnjës ishte programuar gjithashtu të diskutonte për dy rezolutat e tjera në lidhje me gjenocidin ditën e martë, në lidhje me krimet e kryera nga regjimi pro-nazist i Kroacisë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe vrasjet masive të armenëve nga Perandoria Osmane në mes të viteve 1915 dhe 1917, por nuk e bëri këtë.
Dragan Cavic, një lider i opozitës në Republikën Serbe, tha se një rezolutë në lidhje me “gjenocidin kundër serbëve, hebrenjve dhe romëve nga Lufta e Dytë Botërore e Shtetit të Pavarur Kroat” do të dalë në parlament në seancën e tij të ardhshme.
“Ne jemi në dekadën e shtatë që nga hapja e kampit më të madh në Jasenovac, në dekadën e shtatë që kur ndodhën krimet atje, por ende nuk kemi një njohje të vërtetë të këtij krimi – që ai në fakt është gjenocid,” tha Cavic.
Rezoluta që dënon krimet e Perandorisë Osmane kundër armenëve – e cila është dërguar në parlament nga presidenti serb i Bosnjës Milorad Dodik – u hoq nga rendi i ditës.
Ligjvënësit boshnjakë kishin bërë thirrje që rezoluta të tërhiqej, por Dodik e risolli atë sipas dëshirës së tij, duke mos dhënë asnjë shpjegim.
Dodik propozoi miratimin e rezolutës në prill të këtij viti, duke thënë se me anë të kësaj Republika Serbe “do të respektonte të drejtat njerëzore dhe do të ndalonte mohimin e gjenocidit”.
“Populli serb i Republikës Serbe si popull me orientim të lirë dhe që ka humbur një të tretën e popullsisë së tij të aftë për punë në Luftën e Parë Botëror, si edhe burimet natyrore, i respekton dhe mbështet përpjekjet e popullit armen për të ndrequr padrejtësisë historike dhe i njeh si gjenocid krimet kundër armenëve nga Perandoria Osmane,” tha Dodik në një deklaratë në atë kohë./kallxo.com
Parlamenti Serb i Bosnjës refuzon rezolutën për gjenocid!
NGA KATEGORIA