Parlamenti Evropian e miraton rezolutën që e dënon agresionin serb në Banjskë

E publikuar: 19/10/2023 12:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Parlamenti Evropian e ka miratuar rezolutën e propozuar për dënimin e agresionit serb që u bë në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të këtij viti.

Deputetët evropianë sot votuan pesë propozim-rezolutat për çështjen e Banjskës, të cilat janë përmbledhur në një rezolutë të përbashkët.

Në këtë rezolutë, PE do të kërkojë përgjegjësi nga Serbia nëse vërtetohet lidhja me sulmin terrorist ku u vra Afrim Bunjaku.

Zëdhënësja e PE-së, Snjezana Kobescak, tha për Express se meqë rezoluta u miratua me ngritje duarsh nuk ka numër votash, ndërsa teksti i saj është duke u konsoliduar dhe se shpejt do të publikohet.

Për miratimin e kësaj rezolute ka njoftuar edhe eurodeputeti Vladimír Bilčík, i cili është raportues për Serbinë në PE.

“Parlamenti Europian miratoi rezolutën për zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë. Ne kemi nevojë për një hetim të plotë të sulmit në Banjska dhe dhënien e drejtësisë. Beogradi dhe Prishtina duhet gjithashtu të kthehen në një dialog paqësor dhe konstruktiv të lehtësuar nga BE”, ka shkruar ai.