Parlamentari serb: Vuçiq shpalli kapitullimin në Kosovë

E publikuar: 13/09/2024 22:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti opozitar në Parlamentin e Serbisë, Zdravko Ponosh, ka reaguar pas konferencës që mbajti presidenti serb Aleksander Vuçiq nga ku prezantoi disa “masa” për Kosovën.

Ponosh ka thënë se me paraqitjen e tij ai e shpalli kapitullimin në Kosovë, e jo “okupimin e Kosovës”.

Sipas tij të gjitha institucionet në veri, në të cilat Vuçiq dëshiron t’i kthejë serbët, ai vetë ia ka dorëzuar Prishtinës.

“Ajo që Vuçiq ka shpallur sonte është një tregim krejtësisht i pakuptimtë. Ajo ka ardhur nga kampi i Vuçiqit, kështu që nuk e di se me kë ai po debaton”, tha Zdravko Ponosh për “Danas“, duke komentuar vendimin e Vuçiqit për të mos shpallur pushtimin e një pjese të “territorit të Serbisë” dhe duke shtuar se presidenti i Serbisë me këtë paraqitje shpalli kapitullim, e jo ​​pushtimin.

Deputeti serb tha gjithçka që Vuçiq e tha sonte e kishte thënë edhe më parë.

“Thjesht nuk e di pse ka pritur 72 orë për të thënë se nuk ka zgjidhje të mirë për serbët në Kosovë. Ne e dinim këtë edhe pa skaduar ato 72 orë”, thotë Ponosh.

Duke folur për kërkesat për kthimin e institucioneve serbe në Kosovë, deputeti serb pohon se ato paraprakisht i ka dorëzuar vetë Vuçiq.

“Gjithçka që thotë se dëshiron ta kthejë në Kosovë, gjyqësorin, policinë, mbajtjen e zgjedhjeve në veri dhe Asociacionin e komunave serbe, të gjitha ato i dha ai. E gjitha ishte shpikja e tij, gjithçka që premtoi, të gjitha i shkatërroi ai”, thekson Ponosh dhe shton se gjithashtu është farsë formimi i një zone të veçantë të mbrojtjes sociale në Kosovë.

Siç thekson ai, Vuçiq vetëm “ri-pranoi, gjegjësisht hodhi një vijë në atë që nënshkroi në marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit”.