Parkingu nëntokësor te Fakulteti Filologjik në Prishtinë pritet të funksionalizohet këtë muaj, pasi punimet janë në përfundim.
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, tha se aktualisht po punohet në pjesën e sipërfaqes së parkingut dhe janë duke u bërë mbjelljet e fundit, pasi kanë kërkuar më shumë gjelbërim.
Në këtë intervistë me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ai deklaroi se gjithçka po shkon sipas planifikimeve.
“Pjesa e parkingut nëntokësor është pothuajse e përfunduar, ndërsa tani po punohet në pjesën e sipërfaqes sepse kryetari Rama e ka ndërruar tërësisht dizajnin e sipërfaqes. Kemi kërkuar të ketë më shumë gjelbërim ndaj tani janë duke u bërë mbjelljet e fundit dhe në fund të nëntorit konsideroj se do të hapet për qytetarët e Prishtinës”, u shpreh Zogaj.
Sa i përket çmimeve, tha se janë vendosur para nënshkrimit të kontratës mes komunës dhe kompanive private.
“Çmimet janë vendosur kur është nënshkruar kontrata, pasi është një kontratë e partneritetit publiko-privat, pra toka komunale ndërsa ndërtimi është bërë nga kompanitë private. Për një periudhë të caktuar, kompanitë private e shfrytëzojnë dhe menaxhojnë parkingun. Një pjesë e të hyrave i takon buxhetit të komunës”.
“Çmimorja është caktuar qysh përpara me kontratë dhe është e përafërt me çmimet që i kemi në Prishtina Parking. Në Prishtina Parking nëse parkoheni në qendër të Prishtinës, është një euro për orë dhe e keni të obliguar ta lironi parkingun pas dy orësh. Pra, nuk lejohet të qëndroni më gjatë. Prandaj, në një paralele është caktuar edhe ai çmim”.
Në hapësirën e parkingut nëntokësor Zogaj tha se janë rreth 600 vend parkingje, të cilat do të ua lehtësojnë punën qytetarëve.
“Parkingu ka hyrje dalje të veçanta, andaj është e menduar mirë nga inxhinierët dhe arkitektët në mënyrë që të mos krijohet kaos”.
Nënkryetari i kryeqytetit mes tjerash bëri të ditur se janë duke punuar në drejtim të zgjerimit të shesheve, deri te Katedralja dhe semaforët aktual. E kur ky projekt të përfundojë, tha se parkingu do të ketë dalje të veçantë, në mënyrë që të mos shkaktohet tollovi e veturave. /Telegrafi