Parkimi tek Parku Rinia krim ndaj Tiranës

E publikuar: 10/01/2016 18:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fatos Lubonja

Këto ditë më tërhoqi vëmendjen një lajm se Sali Berisha qenka kërcënuar nga biznesmeni Besnik Sulaj, ndryshe i njohur si Beso i Tajvanit, pas denoncimit që i bëri dhënies së koncesionit 30 vjeçar për ndërtimin tek Parkut Rinia të një parkimi të madh makinash nga Erion Veliaj dhe Këshilli Bashkiak socialisto-lsist.
Ajo që më tërhoqi vëmendjen tek lajmi, e që mu duk tronditëse, nuk qe kërcënimi – sepse për mua ky bën pjesë në repertorin e rëndomtë të një teatri mediatiko-politik të stërkonsumuar – por fakti se i gjithë lajmi u përqendrua këtu, ndërkohë që nuk pati asnjë reagim për këtë krim të ri që po i kanoset Tiranës nga pikëpamja ndotjes së ambientit, shëmtimit të pejsazhit urban dhe zhdukjes së kujtesës historike. Thashë me vete: a jemi përpara vdekjes së ndjeshmërisë dhe imagjinatës minimale të gazetarëve apo përpara vdekjes së rezistencave të fundit të gazetarëve përpara korrupsionit galopant të kastës në pushtet?

Pse e them këtë dhe pse e quaj krim ndaj qytetit këtë parkim? Sepse të ndërtosh një parkim aty më së pari do të thotë të shkatërrosh Parkun duke shkulur pemët dhe duke hapur aty një gropë të stërmadhe që do të qëndrojë ashtu, duke u çimentifikuar, me vite derisa të mbarojnë punimet. Dhe kjo ka pasoja të pallogaritshme ndotjeje dhe shëmtimi, jo vetëm për banorët përreth, por për krejt qytetin, për të mos folur për vetë klientët e Tajvanit. Së dyti, edhe sikur të mendohet se, pasi të mbarojë ky çimentifikim i rëndë, mbi sipërfaqen prej çimentoje do të mund të vihet njëfarë gjelbërimi, duhet pasur parasysh se aty do të dominojë bari, sepse pemë të mëdha që bëjnë edhe hije nuk mund të mbillen më dhe po ashtu se problemi i ndotjes së qytetit do të jetë edhe më i madh sesa ai i prodhuar gjatë ndërtimit. Kjo, jo vetëm për shkak të mungesës së pemëve, por edhe sepse nën atë tapet bari do të lëvizin për të parkuar me qindra makina në ditë. Dhe gazrat ndotëse të këtyre makinave sigurisht që kanë nevojë të dalin diku. Po ku do të dalin? Do të dalin mbi të ashtuquajturin park nëpërmjet tubacioneve të ventilimit. Pra ky park ende i bukur dhe i ngarkuar me nostalgji pikërisht për shkak të atyre pemëve dhe gjelbërimit që i ka mbetur, jo vetëm do të shkatërrohet duke shëmtuar edhe pejsazhin urban, por, nga një copëz mushkëri (krejtësisht e pamjaftueshme) që i ka mbetur qytetit, do të kthehet në një vend që do të prodhojë ndotje të mëtejshme të qytetit që edhe kështu është super i ndotur nga fluksi i makinave që kalojnë nëpër Bulevard. Duke pasur parasysh këto gazra a mund të imagjinohet se ai mund të jetë një vend i shëndetshëm për fëmijët, që sot i sheh të luajnë krahas prindërve që pushojnë aty? Kush ka jetuar sadopak në vendet evropiane e di përgjigjen sepse me siguri duhet të ketë dëgjuar për protestat që kanë bërë banorët kundër projektesh të tilla në zonat të ngjashme të gjelbëruara të qytetit.

Sigurisht këto mendime duket se as nuk i kanë kaluar ndërmend Erjon Veliajt, Besos së Tajvanit e aq më pak atyre të Këshillit. Llogaria e vetme që ata kanë bërë është: oh sa shumë para! Sikur 100 makina të parkojë aty, shumëzuar me 200 lekë për orë bëjnë 20000 lekë në orë, shumëzuar me minimumi 10 orë bëjnë 200 000 lekë në ditë, shumëzuar me tridhjetë ditë që ka muaji, shumëzuar me 12 muaj që ka viti, shumëzuar me 30 vjet… llogarisni se çfarë fitimi që ka Besua i pangopur. Sigurisht është një kalkulim njerëzish që ua ka zënë sytë babëzia sepse e siguroj unë Beson se pas 30 vjetësh, me këtë mënyrë se si e ka shkatërruar dhe po e shkatërron ai dhe shokët e tij Tiranën, këtu nuk do të ketë mbetur banor i gjallë në këmbë, por do të jenë transferuar të gjithë në ndonjë kryeqytet tjetër të vendit… nëse, pas tridhjetë vjetësh sjelljeje kësisoj do të ketë mbetur ende ndonjë shqiptar i gatshëm të jetojë në këtë vend.

***

Sidoqoftë shpresoj të kenë mbetur shqiptarë boll, qoftë edhe duke u sjellë si emigrantë që kërkojnë azil nëpër botë, që do të tregojnë historinë e shkatërrimit të këtij qyteti të bukur dhe të Shqipërisë tonë të bukur. Në shërbim të kësaj kujtese po i risjell shkurt publikut historinë e Tajvanit për të cilin po bërtet kaq shumë sot Sali Berisha, sigurisht jo për motivet që po ngre unë, por se po i hanë llokmën. Është një historiemblematike për të ilustruar se si e gllabëroi qytetin tonë përbindëshi me tre kokë e tre stomakë: politikë – biznes – media ku PD, PS dhe LSI janë tre këmbët e tij që e kanë ndihmuar të ecë sa më shpejt përpara në gllabërimin e bukurive të Shqipërisë dhe e të mirave publike. E pra, gllabërimi ka filluar me famëkeqen shoqëri Shqiponja të PD-së që, pasi e bëri të vetën Tajvanin, në vitin 1997 ia ka shitur një biznesmeni për një shifër të ulët. Ky biznesmeni, pastaj, ia ka shitur një greku për 750 000 dollarë. Ky greku, vetëm pas gjashtë muajsh ia ka shitur Besos së Tajvanit për 1 milion e 200 mijë. E pra, këto spekulime që bëheshin në kurriz të një prone që u përkiste të gjithëve kanë filluar bash në kohën e Sali Berishës. Pastaj erdhi koha kur u hodh përpara këmba tjetër, edhe më e fuqishme, e përbindëshit: ajo e socialistëve të Nanos, Metës dhe Ramës. Në këtë kohë Besos së Tajvanit nuk i mjaftonte ajo që kishte marrë për të plotësuar kompleksin. I duheshin edhe ndonja 1300 e ca metra të tjerë katrorë përreth nga toka e të gjithëve. Këto ia ofroi me bujari Rama dhe socialistët e tij me një çmim qesharak. Mirëpo në atë kohë, për ta mbyllur pazarin, këshilltarëve socialist u duheshin edhe votat e disa këshilltarëve të PD, e cila, gjatë teatrit të fushatës kishte premtuar (si gjithmonë duke gënjyer) se po të fitonte do ta hiqte kazinonë e Besos nga Tajvani. Sipas dëshmive që na dha në media asokohe Mero Baze dhe Mitro Çela, që janë dy nga këshilltarët e PD që kanë votuar për Beson, votimi është bërë me bekimin e Berishës tek i cili paskan ndërhyrë edhe njerëz si Fatmir Mediu e Gramoz Pashko. Bile Merua e Mitrua kanë shkuar në zyrën e Berishës një ditë para votimit për t’i thënë se Besua kishte sponsorizuar edhe Partinë Demokratike, jo vetëm PS-në. (Shih për këtë një shkrim të Mero Bazes me titull “Sqarim për zonjën Topalli” Tema, 17.12.2009). Dhe kështu pazari u mbyll nga Berisha që bërtet sot, i cili i orientoi anëtarët e tij të Këshillit të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre. Kujtoj se pikërisht në këto kohë gazeta Tema, megjithëse me humbje, u ble nga Besua për 500 000 euro. Për më hollësi për këtë histori lexoni shkrimit tim “Punë batakçinjsh” (Korrieri, 28 dhjetor 2009)

***

Në shkrimin në fjalë kam thënë mes tjerash se: “historia e 1300 metra katrorëve tek Tajvani është metaforë e asaj se si i kanë trajtuar 28000 km katror Shqipëri këta batakçinj të vjetër dhe të rinj. Si histori privatizimesh ajo është aq e rëndomtë sa ndoshta të vetmen vlerë që ka, për të marrë mundimin ta shkruash, është që t’u lihet një dëshmi më shumë nipërve dhe mbesave të këtyre batakçinjve që një ditë të dinë se si janë pasuruar gjyshërit e tyre në kurriz të të gjithë shqiptarëve, se si gjyshërit e tyre politikanë punën publike e kanë pasur thjesht si mundësi për të marrë ryshfete dhe përfitime nga gjyshërit biznesmenë që biznesin e tyre nuk mund ta ndërtonin pa ryshfete dhe se këto biznese mund të lulëzonin edhe më mirë me ndihmën e gjyshërve gazetarë që në vend të punës së gazetarit bënin punën e sekserit.” Ky është “sistemi” që na premtoi të përmbysë Rilindja. Por, në vend të lindjes, ajo që po përjetojmë përditë është avancimi galopant i vdekjes që sjell kudo ku shkel përbindëshi me tre koka që kanë kalëruar Berisha, Nano, Rama, Meta me shokë e që duket se pret të kalërohet edhe nga brezi i Erjon Velisë me shokë. Ashtu sikurse thashë, njëlloj si para dhjetë vjetësh, e vetmja llogari që bëjnë këta njerëz janë paratë që do të fitojnë në kurriz të publikut e cila llogari u ka errësuar ndërgjegjen dhe aftësinë për të krijuar projekte që janë në harmoni me natyrën dhe me interesat e të gjithëve, veçanërisht me të ardhmen e fëmijëve të të gjithëve. Ajo që më mbetet të them është se, po vazhduan kështu, pas 30 vjetësh, Tirana e përbindëshit do të jetë një qyteti i banuar vetëm me pallate pa këta fëmijë, dhe parkimi i Besos dhe Erjonit do të vizitohet si një katokomb betoni i banuar nga minj dhe makina të ndryshkura e të braktisura. Madje ka gjasa që përbri tij të ketë edhe një pallat njëzetkatësh në vend të Tajvanit – edhe ky bosh, si përbindëshi njëzetepesë katesh prej betoni aty pranë që qëndron kërcënueshëm mbi kokat tona, si paralajmërim i një qyteti fantazmë. E them këtë sepse, më kujtohet se në kohën që ndërtohej godina e Tajvanit të Ri të Besos një ndërtues erdhi i shqetësuar dhe më tha se themelet që ishin hedhur atje nuk qenë për një ndërtesë dy katëshe, por për një pallat mbi njëzet katesh. Prandaj nuk është çudi që në vazhdim të marrëzisë dhe babëzisë miope të këtyre njerëzve, andej nga mesi i kohës së koncesionit, ndonjë Këshill Bashkiak i radhës së PD-PS-LSI të na aprovojë edhe një ndërtesë njëzet katëshe aty.

Nuk është fantazi gjithë kjo që po them. Me ç’na kanë parë e po na shohin sytë përditë është gjëja më e mundshme nga të gjitha që mund të ndodhë. Por sigurisht nuk e shkruaj si ngjarje e paevitueshme, por si thirrje për ta ndalur këtë mundësi të kobshme.

(Panorama, 8 Janar, 2016)