Grupi Mediatik i Kinës (CMG) dhe Shërbimi i Transmetimit Olimpik (OBS) nënshkruan të hënën marrëveshjen e bashkëpunimit për prodhimin e sinjaleve publike të Lojërave Olimpike të Parisit 2024. CMG-ja do të jetë kështu zyrtarisht prodhuesja e sinjalit publik të olimpiadës së Parisit.
Sipas marrëveshjes, CMG-ja do të prodhojë sinjalin publik ndërkombëtar të katër sporteve kryesore të olimpiadës së Parisit 2024, të cilat janë përkatësisht gjimnastika (gjimnastika sportive, gjimnastika artistike dhe trampolina), pingpongu, badmintoni dhe ngjitja e shkëmbit, duke u bërë radiotelevizioni kombëtar që do të prodhojë më shumë sinjale publike në Lojërat Olimpike të Parisit.
Drejtori i CMG-së, Shen Haixiong, dhe kryetari ekzekutiv i OBS-së, Yiannis Exarchos, morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit në internet.
Shen Haixiong-u theksoi që pjesëmarrja e CMG-së në transmetimin e Lojërave Olimpike të Parisit është një vlerësim i plotë nga OBS-ja për nivelin teknologjik dhe të raportimit sportiv të CMG-së. “KON-i i dha një mundësi CMG-së dhe ne do t’i japim një surprizë botës!” vuri në dukje ai.
Yiannis Exarchos u shpreh nga ana e tij që CMG-ja është partnerja më e fuqishme e OBS-së në aplikimin e teknologjive inovative, aftësinë profesionale dhe cilësinë e përmbajtjeve. Olimpiada e Parisit 2024 do të jetë një tjetër gur i rëndësishëm kilometrik, që do ta çojë patjetër bashkëpunimin dypalësh në një nivel të ri.
Në ceremoninë e nënshkrimit u lexua mesazhi i urimit nga presidenti i KON-it Thomas Bach. Në një letër për drejtorin Shen Haixiong, Bach shpreh urime të sinqerta për zgjerimin e bashkëpunimit në prodhimin e sinjalit publik të Olimpiadës së Parisit 2024. Ai vuri në dukje që cilësia e lartë dhe aftësia profesionale e raportimit e CMG-së ka dhënë kontribut të madh për transmetimin e suksesshëm të lojërave olimpike dhe i ka ndihmuar ato të shkojnë te publiku në mbarë botën.
Gjatë Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022, CMG-ja mori pjesë për herë të parë në prodhimin e sinjaleve të olimpiadave dimërore, duke prodhuar sinjalet e lojërave olimpike me standardin 4K dhe duke transmetuar me sukses të plotë sinjalet e gjashtë disiplinave olimpike, si kërlingu dhe kërcimi me ski stil i lirë, duke u vlerësuar gjerësisht nga mediat botërore.
CMG-ja ngul këmbë në strategjinë 5G+4K/8K+AI dhe ka prodhuar sinjalet 8K mbi ceremonitë e hapjes dhe mbylljes të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit, duke aplikuar kamera ultra të shpejtë dhe teknologjinë AI në prodhimin e sinjaleve publike ndërkombëtare.
Lojërat Olimpike Dimërore kanë tërhequr miliarda shikues nga mbarë bota dhe njoftimet përkatëse të CMG-së kanë arritur te mbi 62.81 miliardë veta, duke u bërë olimpiada dimërore me shikueshmërinë më të lartë në historinë olimpike. Yiannis Exarchos ka vlerësuar shumë herë që, për prodhimin e sinjaleve publike të olimpiadave, qoftë verore, qoftë dimërore, niveli i CMG-së është i rangut të parë botëror dhe CMG-ja është bërë transmetuesja më e fuqishme globale.