Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Isa Mustafa e Hashim Thaçi pavarësisht pse e konsideruan shumë të lehtë dështimin në Kuvend të miratimit të amendamentit kushtetues, i cili do t’i hapte rrugë krijimit të Gjykatës Speciale, duket se gjërat do t’iu vështirësohen edhe më shumë. Në mbledhjen e fundit të Qeverisë Mustafa, edhe pse u paralajmërua se shumë shpejt do të procedohet sërish amendamenti kushtetues në Kuvendin e Kosovës, kjo nuk mund të ndodh, pa u ndryshuar ky amendament dhe pa i përfillur të gjitha procedurat e parapara me anë të Kushtetutës.
Një burim i Gazetës Blic i afërt me procesin e krijimit të Gjykatës Speciale, ka thënë se Mustafa e Thaçin kanë marrë vërejtje edhe nga një pjesë e bashkësisë ndërkomëtare se do të ishte shkelje e Kushtetutës nëse do të riprocedohej amendamenti kushtetues, pa ndryshime, i cili dështoi të premten e kaluar.
“Isa Mustafa e Hashim Thaçi pas dështimit të Gjykatës Speciale, të gjendur nën presion të jashtëzakonshëm për humbjen e kësaj “beteje” u ngutën me paralajmërim për riprocedim të këtij amendamenti. Mirëpo, kjo do të ishte shkelje e nenit 144 të Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë për Gazetën Blic ky burim.
Ndërkaq, një deputet i LDK-së në kushte anonimiteti i ka treguar Gazetës Blic se si në këtë parti i kishin paralajmëruar deputetët që ditën e premte, sërish do të ketë seancë për këtë amendament kushtetues, dhe kishin kërkuar nga ta që të mos udhëtojnë jashtë shtetit.
“Megjithatë, dje na kanë thënë që nuk do të procedohet përgjatë kësaj jave, ngase na kanë dalë disa probleme procedurale”, ka thënë ky deputet.
Megjithatë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi ka thënë për medie se Gjykata Speciale do të kryhet në Kosovë, e jo në OKB.
“E para, po shqyrtohet mundësia me ju drejtue Gjykatës Kushtetuese për mendim. Dhe e dyta, me riprocedue shpejt ligjin për Specialen edhe njëherë, sepse kryetari i Kuvendit e ka të drejtën me e riprocedue në votim edhe njëhere një ligj të veçantë”, ka thënë Abrashi.
Mirëpo, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli gjatë ditës së hënë ka pasur një takim me shefat e Grupeve Parlamentare, ku i ka njoftuar ata se nuk mund të riprocedohet një amendament kushtetues i cili ka dështuar për votim në Kuvend.
Edhe këshilltari i tij, Blerim Latifi ka deklaruar se nuk ka ndryshime kushtetuese pa u konsumuar të gjithja procedurat ligjore.
Sidoqoftë, në Kushtetutën e Kosovës thuhet shumë qartë se si procedohen amendamentet kushtetuese. Saktësisht në nenin 144, shpjegohen saktësisht procedurat për një ndryshim kushtetuese.
Neni 144 [Amendamentimi]
-
Qeveria, Presidenti ose një e katërta (1/4) e deputetëve të Kuvendit, sipas Rregullores së Punës të Kuvendit, mund të propozojnë ndryshime dhe amendamentime të kësaj Kushtetute.
-
Çdo ndryshim do të kërkojë miratimin e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Republikën e Kosovës.
-
Ndryshimet në këtë Kushtetutë mund të miratohen nga Kuvendi vetëm pasi të ketë adresuar Kryetari i Kuvendit të Kosovës amendamentin e propozuar në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar paraprakisht nëse ndryshimi i propozuar nuk pakëson ndonjë të drejtë dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës.
-
Ndryshimet e Kushtetutës hyjnë në fuqi menjëherë pas miratimit të tyre në Kuvendin e Republikës së Kosovës.