Shqipëria si kryesuese e Këshillit të Sigurimit në OKB ka thirrur një mbledhje për të dënuar veprimet e fundit të Rusisë në Ukrainë, që cenojnë ligjin ndërkombëtar.
Mbledhja e drejtuar nga përfaqësuesi i përhershëm i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha, dënoi veprimin e Rusisë për të mbajtur zgjedhje lokale në territoret e pushtuara në Ukrainë. Sipas Hoxhës Rusia shpreson se zgjedhjet e rreme do të demonstrojnë kontrollin e saj mbi këto territore të pushtuara, por ato nuk janë gjë tjetër veçse një marifet propagandistik.
Përfaqësuesi i Shqipërisë gjithashtu kundërshtoi paralelen që ambasadori i Rusisë, Vasily Nebenza hoqi mes Kosovës dhe Ukrainës, duke thënë se në shtetin e Kosovës shprehja e vullnetit të lirë u zëvendësua me një deklaratë pavarësie. Sipas tij, edhe në rastin e zgjedhjeve në Ukrainë u zbatua ligji ndërkombëtar. Kjo solli reagimin e Shqipërisë.
“Asgjë nuk mund të jetë më e pasaktë dhe larg të vërtetës se paralelja mes Kosovës dhe Ukrainës. Kosova nuk do të përdoret dhe nuk duhet të përdoret si një pistë apo kamuflazh për pushtimin ushtarak të Rusisë në Ukrainë. Kosova u bë e pavarur pas luftës së përgjakshme dhe bisedimeve të gjata të paqes, në të cilat edhe Rusia ishte pjesëmarrëse. Gjykata ndërkombëtare tha se deklarata e pavarësisë ishte në linjë me ligjin ndërkombëtar. Në të njëjtën mënyrë do doja që Rusia të vepronte me ligjin ndërkombëtar, pasi gjykata ka nxjerrë një vendim që ndalon luftën e Rusisë. Kosova dhe Serbia është e rëndësishme të mos përfshihen në veprime agresive. Ato bisedojnë dhe janë të detyruar në një proces dialogu për të siguruar të ardhmen e tyre në paqe”- tha Ferit Hoxha.
Përfaqësuesi i SHBA në OKB duke mbështetur linjën e Shqipërisë bëri thirrje për të gjitha shtetet që të dënojnë shkeljen skandaloze të së drejtës ndërkombëtare nga Rusia, duke e quajtur mbajtjen e zgjedhjeve lokale, një njollë në historinë kolektive të OKB-së si një organ i themeluar për ruajtjen e paqes botërore dhe një sulm ndaj rendit ndërkombëtar.
Sipas tij nuk duhet t’i jepet legjitimitet Rusisë në këto veprime.