Paralajmëron Thaçi: Na ka mbetur shumë pak kohë, liberalizimi i vizave në rrezik

E publikuar: 25/12/2017 23:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ripërsëritur se çështja e demarkimit të kufirit me Malin e Zi duhet të përfundojë sa më shpejt që është e mundur.
“Sa për Demarkacionin, ne kemi një periudhë shumë të shkurtër kohore që duhet ta përmbyllim”, ka thënë ai gjatë një interviste në Klan Kosova.

“Nëse nuk e përmbyllim, atëherë nuk do t’i kemi vizat, prandaj skena politike duhet të reflektojë, të ketë një unitet dhe ta kryejë këtë çështje sa më parë që është e mundur”, është shprehur ai.

Thaçi ka folur edhe për themelimin e Ushtrisë së Kosovës, derisa tërheqjen nga aplikimi për anëtarësim në INTERPOL e ka cilësuar gabim.

“Ndërsa për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, jemi në rrugë të mirë, jemi duke implementuar edhe disa kritere shtesë që i kemi nxjerrë”, ka thënë ai.

“Ka qenë gabim tërheqja nga angazhimi për anëtarësim në INTERPOL sikur që ka qenë nxitim, mosaplikimi për anëtarësim në UNESCO, sikur edhe që është gabim nga faktori ndërkombëtar që nuk po na lejon që të aplikojmë në Këshillin e Evropës”, ka deklaruar Thaçi.