Departamenti Amerikan i Shtetit ka paralajmëruar qytetarët amerikanë për rrezikun terrorist që i kanoset përreth Evropës këtë verë duke përfshirë edhe ‘Euro 2016’.
“Numri i lartë i turistëve që do të vizitojnë Evropën në muajt e verës, paraqesin një objektiv për sulmet terroriste në vende publike, veçanërisht në evenimente të rëndësishme”, thuhet në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit dërguar shtetasve të vet që ndodhen në Evropë, ose që kanë në plan të shkojnë atje.
Dy janë evenimentet që veçohen: Dita Botërore e Rinisë së Kishës Katolike që do të mbahet në Poloni në fund të muajit korrik dhe Kampionati Evropian i Futbollit që zhvillohet në Francë mes 10 qershorit dhe 10 korrikut.
Por, DASH nuk është i vetmi që ka dhënë alarmin për sulmet terroriste gjatë Kampionatit Evropian, transmeton Top Channel.
Të dhënat më të fundit të gjetura në laptopin e njërit prej sulmuesve të Parisit, Salah Abdeslam, i cili tashmë ndodhet në burg, flasin për të tjera shpërthime kamikaze të ISIS, ku këtë herë objektivi është Evropiani i Francës.
Në mesin e këtyre informacioneve të publikuara nga autoritetet përfshihen edhe fotografi të qytetit të Marsejës, ku më 15 qershor luhet ndeshja e Euro 2016 mes Francës dhe Shqipërisë.
Gjithashtu mediat britanike raportojnë se terroristët po përgatitin sulme për ndeshjen e parë të Evropianit që do të luhet në këtë qytet, atë mes Anglisë dhe Rusisë.