Paralajmërohet arrestimi i Visar Ymerit

E publikuar: 18/02/2016 12:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata e Prishtinës ka paralajmëruar që së shpejti do lëshojë urdhërarrest për liderin e “Vetëvendosjes” Visar Ymeri.

Paralajmërimi është bërë nga gjykatësi Vesel Ismajli gjatë seancës gjyqësore për gjykimin e rrahjes së deputetëve.

Visar Ymeri e Rexhep Selimi nuk morën pjesë në gjykimin ku akuzohen për rrahje të Bekim Haxhiut.

Në këtë gjykim kreu i “Vetëvendosjes” Visar Ymeri, deputeti i këtij subjekti Rexhep Selimi, ish-deputeti Florin Krasniqi dhe vozitësi Besart Bujupi akuzohen për fjalosje dhe sulm ndaj deputetit të PDK-së Bekim Haxhiu me qëllim të shkaktimit të lëndimeve të lehta trupore.

Kjo gjë sipas prokurorisë kishte ndodhur më 28 qershor 2012 gjatë një pauze pas një debati në Kuvendin e Kosovës. Procedura ndaj Florin Krasniqit është veçuar.

Edhe pse sot ishte seanca e 15-të e këtij gjykimi, asnjëra nga to nuk është mbajtur.

Më 8 shkurt në gjykatë për këtë çështje nuk erdhi kryetari i “Vetëvendosjes” Visar Ymeri. Në atë seancë gjyqtari Vesel Ismajli tha se nuk i mbetur mjet tjetër juridik, përveç që të lëshojë urdhërarrest për Ymerin për sjellje të detyrueshme të tij në seancë.

Atë ditë Bekim Haxhiu tha se “është e 14-ta herë që vij në seancë për të kërkuar drejtësi dhe është e 14-ta herë që gjykata nuk i plotëson kushtet ligjore për mbajtjen e seancës. Është papërgjegjësi e gjykatës”.