Paralajmërimi i ish-kryeinspektorit të AKI-së: Veprime të këqija janë përgatitur për Kosovën, të përgatiten NATO e sektori i sigurisë në vend

E publikuar: 26/03/2024 17:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Burim Ramadani

Në Këshillin e Sigurisë të OKB-së të hënën, Rusia ka kërkuar që pika e titulluar “kërcënimet ndaj paqes ndërkombëtare dhe sigurisë” të futej në agjendën e takimit të 25 marsi.

Shtetet e Bashkuara, Franca dhe shtetet e tjera perëndimore kanë abstenuar në votim duke parandaluar futjen në agjendë të diskutimit temën për ndërhyrjen ushtarake 25 vjet më parë të NATO-s ndaj ish-Jugusllavisë.

Ky zhvillim në OKB nga njohësit e sigurisë po vlerësohet si provokim nga Rusia e Serbia për Kosovën.

Ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani në një prononcim për Front Online thotë se Rusia e ka qëllim serioz destabilizimin e veriut.

Ramadani mendon se pas kërkesës se Rusisë në OKB, veprime të këqija janë përgatitur për Kosovën nga këto dy shtete.

Ai thotë se pas kësaj ngjarje vigjilenca e sektorit të sigurisë në Kosovë dhe NATO-s duhet të jetë e lartë.

“Rusia ka për qëllim serioz që veri i Kosovës të destabilizohet, njëjtë sikur edhe Ballkani. Prandaj, ajo përdorë edhe mjetet diplomatike propaganduese, gjoja ka dashur të diskutojë edhe në KS të OKB-së paraprakisht. Pra, unë besoj se veprime të këqija mund të ketë planifikuar Rusia e Serbia pas kësaj kërkese. Prandaj, vigjilenca e sektorit të sigurisë kosovare dhe e NATO-s duhet të jetë e lartë në vazhdimësi”, u shpreh Ramadani.

Ish-kryeinspektori i AKI-së: Rusia po përdorë propagandë kundër Kosovës për të sulmuar Perëndimin

Burim Ramadani, ish-kryeinspektori i AKI-së deklaruar se tash e dy dekada Rusia ka synim ta ndryshojë të vërtetën e Kosovës.

Ramadani thotë se Rusia po përdorë propagandë kundër Kosovës për të sulmuar Perëndimin.

“Propaganda ruse tashmë për më shumë se dy dekada ka pasur dhe ka për synim të përçudnojë të vërtetën e Kosovës. Përmes sponsorizimit të Raportit të Dick Martyt, Rusia ka kaluar në faza të ndryshme e të dëmshme për Kosovën. Është e qartë se Rusia e përdorë propagandën kundër Kosovës për ta goditur SHBA-në dhe Perëndimin në përgjithësi”, theksoi Ramadani.

Arritjet e Kosovës do të rrëzojnë propagandën dhe dezinformimin rus, thotë Ramadani.

“Vetëm konsolidimi i demokracisë, vlerave euro-atlantike dhe arritjet e Kosovës në integrime ndërkombëtare do të rrëzojnë përgjithmonë propagandën dhe dezinformimin rus në raport me Kosovën. Lufta Hibride ruse është e ashpër dhe tejet aktive”, tha ai.

Ibishi: Propozimi i Rusisë në OKB për futjen në agjendë të diskutimit për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, mund të sjellë tensione në veri.

Kërkesa e Rusisë në Këshillin e Sigurisë në OKB për futjen në agjendë të diskutimit temën për ndërhyrjen ushtarake 25 vjet më parë të NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë, mund të sjellë tensioni në veri.

Kështu po e vlerëson njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, në një prononcim për Front Online.

“Po mund të ndikojnë sepse akoma ka ndikim të vazhdueshëm në aspektin gjeostrategjik të Rusisë në Ballkan përmes Serbisë që duke u bërë një shërbim në Këshillin e Sigurimit ti mbajnë aleancë të vazhdueshme të tensioneve të reja”, tha Ibishi.

Kjo situatë po shfrytëzohet për çështjet e Rusisë dhe Serbisë, vlerëson Ibishi.

“Këto janë provokime ruso-serbe me qëllim që të mblidhet opinioni botërorë e ndërkombëtar për bombardimet e para 25 viteve të kthehen në çështje ndryshe nga realiteti se çfarë ka qenë dhe të shfrytëzohet në çështjet e tyre”, deklaroi ai.

Ibishi theksoi se Rusia po tenton të ndryshojë qëllimin humanitar të NATO-s në Kosovë.

“Rusia është në trysni ndërkombëtare për shkak të agresionit në Ukrainë ata kanë dashur ta shfrytëzojnë këtë mbledhje të sigurimit por i dështoi se u mbivotua nga vendet demokratike. Ata po tentojnë të thonë që nuk ka pasur qëllim humanitar por të ndihmohet UCK dhe Kosova për anketime kinse të territorit serb kinse ka qenë pasojë të largimit të serbëve nga Kosova, ky është një arsyetim për të gjitha vrasjet e masakrat që kanë bërë”, ka thënë Ibishi.

Shala: Shteti serb përmes atij rus po tenton të shtrembëroj realitetin e Kosovës

Drizan Shala, ekspert i sigurisë theksoi se shteti serb përmes atij rus po tenton të shtrembëroj realitetin e Kosovës.

Shala tha se Rusia përmes pengimit të rrugëtimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar po tenton që Serbia të veproj në dëmtim të qeverisë kosovare.

“Serbia përmes Rusisë po tenton në çdo mënyrë ta shtrembëroj realitetin duke u bazuar në gjendjen që e ka krijuar në Ukrainë. Evropa ka mbetur e vetmja pamundësi që Serbia të interferoj, tanimë e ka përzgjedhur që çështja e Kosovës të kaloj në KiE . Rusia tenton që përmes pengimit të rrugëtimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar ta legjitimoj një reaksion dhe veprim të Serbisë me dëmtim të Qeverisë së Kosovës”, thotë Shala.

Më 24 mars u bënë 25 vjet nga nisja e sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve ushtarake policore në ish-Jugosllavi.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.