Paquet: Nënshkrimi i MSA çështje teknike – zbatimi në vitin 2016

E publikuar: 08/07/2015 17:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori për Ballkanin Perëndimor nga Komisioni Evropian, Jean- Eric Paquet, është shprehur i brengosur për faktin se Kuvendi i Kosovës nuk arriti të themelojë Gjykatën Speciale për krime lufte.

Zyrtari evropian ka marrë pjesë në takimin e pestë plenar për Dialogun e Procesit të Stabilizim Asocimit që u mbajt në Prishtinë, ku ka kërkuar sërish nga kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe Qeveria e Kosovës që të rishqyrtojnë mundësitë për themelimin e Gjykatës Speciale.

“E kemi të qartë se një proces i tillë nuk është i lehtë dhe e dimë edhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës, por shpresojmë që kjo çështje të rishikohet dhe të zgjidhet”, ka thënë ai.

Formimi i dhomave të veçanta të kësaj gjykate, sipas tij, do të sjellë drejtësi për viktimat dhe do të ndihmojë në forcimin e ligjit dhe të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Ai tha po ashtu se ka shqetësime edhe në aspektin e dialogut politik të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes Kosovës dhe Serbisë.

Paquet është shprehur i brengosur sidomos me mungesën e arritjes së marrëveshjeve.

Në këtë aspekt, ai ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa që çështjet që kanë mbetur të hapura në bisedime të përfundojnë sa më parë.

“Më lejoni që t’ju inkurajoj ju dhe ekipin tuaj negociator që të angazhohen më shumë në dialog. Konsideroj se ju dhe pala serbe duhet të ktheheni për dialog në zyrën e zonjës Mogherini me elementet të zgjidhjes së çështjeve që kanë mbetur të hapura. Kjo është e rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve”, ka deklaruar ai.

“Ky drejtim është i rëndësishëm edhe për marrëdhëniet e Kosovës pasi normalizimi me vendet fqinjë sjellë përfitime për Kosovën në shumë drejtime”, ka thënë zyrtari evropian.

Në lidhje me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, zyrtari evropian ka deklaruar se procesi është në fazën finale të diskutimeve në Bruksel.

Ai ka vlerësuar se institucionet e Kosovës kanë bërë një angazhim të theksuar në fushën e sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar, luftimin e korrupsionit dhe reformimin e administratës.

“Jam i sigurtë që së shpejti do të shohim marrëveshjen e nënshkruar dhe do të kemi një kornizë gjithëpërfshirëse institucionale si dhe të raporteve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe BE-së”, ka thënë ai.

Sipas tij, me këtë marrëveshje hapen mundësi të reja, duke veçuar sidomos tregtinë nga e cila mund të përfitojnë qytetarët e Kosovës.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa është zotuar se Kosova mbetet e përkushtuar në përmbushjen e kritereve evropiane për MSA dhe liberalizimin e viza

“Tashmë e kemi hapur kapitullin e marrëdhënieve zyrtare mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian përmes Marrëveshjeve për Stabilizim Asocim dhe konsiderojmë se miratimi nga ana e KE-së dhe PE-së dhe pastaj nënshkrimi dhe hyrja në fuqi e saj në fillim të vitit 2016, do të shënojë marrëdhënien e parë kontraktuale ndërmjet BE-së dhe Kosovës”, ka deklaruar Mustafa.

Mustafa ka thënë se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë zbatimin e agjendës evropiane me qëllim për arritjen e standardeve evropiane në të gjitha fushat e qeverisjes dhe përmirësimin e kushteve të jetës së qytetarëve.

Ai tha po ashtu se me qëllim të forcimit të shtetit, do të punohet në forcim të ligjit, të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe forcimit të demokracisë së brendshme.

Ministri i Integrimit Evropian Bekim Qollaku, tha se Kosova është në prag të nënshkrimit të MSA-së dhe vendosjes së marrëdhënieve kontraktuale me perspektivë të qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Kosova do të merr obligime të shumta në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, pas përmbylljes së negociatave në vitin e kaluara menjëherë ka ndërmarrë masat për zbatimin më kohë të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit”, tha Qollaku.

Ndryshe, në Kosovë në javën e ardhshme do të vijë misioni faktmbledhës i Komisionit Evropian, i cili do të bëjë vlerësimin e përmbushjes së kritereve të mbetura në kuadër të procesit për liberalizimin e vizave.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës vlerësojnë se rëndësia e këtij misioni është shumë e madhe pasi që sipas tyre raporti i radhës i Komisionit Evropian do të hap rrugë për hapat e ardhshëm në këtë proces duke përfshirë edhe rekomandimin për liberalizimin e vizave. /rel/