Në një sondazht të realizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë thuhet se kërcënimet e brendshme kryesore që e rrezikojnë sigurinë kombëtare të Kosovës janë ISIS, papunësia, korrupsioni,etj.
Në një sondazh të realizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë vlerësohet se kërcënimet e brendshme kryesore që e rrezikojnë sigurinë kombëtare të Kosovës janë papunësia, korrupsioni, krimi i organizuar, mungesa e stabilitetit politik, ndërsa rreziku kryesor i jashtëm për sigurinë kombëtare thuhet të jetë Shteti Islamik.
Kështu vlerësohet në sondazhin “Barometri Kosovar i Sigurisë – Edicioni i Pestë”. Edhe këtë vit, në këtë raport janë përmbledhur rezultatet e perceptimeve të respodentëve lidhur me besueshmërinë, nivelin e korrupsionit në institucionet e drejtësisë dhe sigurisë, të ardhmen e institucioneve të sigurisë, si dhe perceptimet lidhur me kërcënimet dhe rreziqet e jashtme dhe të brendshme.
Vërehet se me përjashtim të AKI-së dhe deri në një masë edhe KPS-ve, institucionet e sigurisë rezultojnë të jenë më të besueshme.
Respektivisht, 69% e respodentëve pohuan se i besojnë FSK-së e që njëherësh paraqet nivelin më të lartë të besueshmërisë nga të gjitha institucionet e matura. KFOR-i rezulton të jetë institucioni i dytë më i besuar në Kosovë me 67%. Befasi në këtë vit është se besueshmëria ndaj PK është rritur me 10% nga 45% sa ishte në 2014 në 55% tani në 2015.
“Ndërsa, me 43% edhe besueshmëria ndaj Inspektoratit Policor të Kosovës rezulton të jetë mjaft e kënaqshme. 35% e respodentëve theksuan se i besojnë KPS-ve, kurse, vetëm 13% theksuan se i besojnë AKI-së, gjë që dëshmon se edhe më tutje qytetarët i ruajnë paragjykimet e krijuara ndaj këtij institucioni si rezultat i skandaleve të përfolura nga menaxhementi i kaluar”, thuhet në raportin e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë.
Për më tepër vlen të theksohet PK me 58% rezultoi të jetë institucioni më i kontaktuar nga qytetarët, ndërsa, me 3% AKI rezultoi të jetë institucioni më pak i kontaktuar nga qytetarët, te dyja këto rezultate mund të cilësohen si pozitive duke pasur parasysh mandatin e këtyre institucioneve.
“Besueshmëria e respodentëve ndaj institucioneve të drejtësisë rezultoi të jetë tejet e ulët. Respektivisht, rreth 54% e tyre theksuan se nuk i besojnë EULEX-it i cili tashmë kompetencat kryesore i ka në fushën e drejtësisë, përqindje kjo edhe më negative se sa ajo ndaj Gjykatave (me 51%) apo ndaj prokurorisë (me 41%) sa i përket mos-besueshmërisë. Mirëpo, situata është edhe më kritike kur bëhet fjalë për besueshmërinë e qytetarëve ndaj Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës”, thuhet në raport.
Sa i përket perceptimit të qytetarëve për nivelin e korrupsionit në institucionet e sigurisë dhe drejtësisë ishin të njëjta, ndonëse në këtë rast janë matur vetëm gjashtë institucionet më kryesore: KSF, PK, Gjykatat, Prokuroria, Komunat dhe Qeveria e Kosovës. Rezultatet treguan se qytetarët i shohin institucionet e sigurisë si më pak të korruptuara, ndërsa, gjyqësorin dhe ekzekutivin si më tepër të korruptuar. Respektivisht, institucionet më të pa-korruptuara në sytë e të anketuarve ishin FSK, pasuar nga PK, ndërsa më të korruptuarat rezultuan të jenë Qeveria e Kosovës dhe Gjykatat të ndjekura për së afërmi nga Prokuroria dhe Komunat.
Rezultatet e BKS 2015 po ashtu tregojnë se rreth 88% e respodentëve janë në favor të transformimit të FSK-së në Forcën e Armatosur të Kosovës (FAK), që njëkohësisht mund të thuhet së ky transformim përbën politikën institucionale më të përkrahur nga qytetarët e cila megjithatë siç duket është neglizhuar kohëve të fundit nga ana e institucioneve.
Sa i përket KFOR-it, shumica e respodentëve ishin të mendimit se ky mision duhet të vazhdoj të qëndroj në Kosovë edhe për 3 deri 5 vitet e ardhshme, duke e ndërlidhur me bartjen e kompetencave të këtij misioni tek Forca e Armatosur e Kosovës.
Ndërsa, kur bëhet fjalë për EULEX shumica dërmuese e respodentëve ishin të mendimit që ky mision duhet të përfundoj mandatin në një të ardhme të afërt, respektivisht rreth 36% deklaruan se ky mision tashmë do duhej të këtë përfunduar mandatin, ndërsa mbi 13% thanë se ky mision duhet të lëshoj Kosovën vitin e ardhshëm.
Për sa i përket rreziqeve dhe kërcënimeve të brendshme kryesore që e rëndojnë sigurinë kombëtare të Kosovës, qytetarët kanë vlerësuar që katër janë më shqetësueset: papunësia (97%), korrupsioni (95%), krimi i organizuar (92%) si dhe mungesa e stabilitetit politik me 90%.
Ata konsiderojnë që niveli i lartë i papunësisë shkakton probleme të tjera sociale siç janë rritja e numrit të krimeve; numri i lartë i migrimit ilegal të qytetarëve si dhe frika që ky nivel i lartë i papunësisë mund të kthehet në një revoltë sociale me pasoja të paparashikuara.
Qytetarët edhe një herë rikonfirmojnë se deri më tani institucionet shtetërore kanë ndërmarrë fare pak hapa për të zvogëluar nivelin e korrupsionit në Kosovë dhe kanë shprehur shqetësimin që nuk ekziston vullnet i mjaftueshëm i qeverisë për të ngritur përgjegjshmërinë e zyrtarëve shtetëror që minojnë jo vetëm rritjen ekonomike, por gjithashtu edhe situatën e sigurisë në vend dhe qeverisjen e mirë.
Ngjashëm më këtë, kanë vlerësuar që institucionet kanë treguar performancë të dobët edhe në luftimin e krimit të organizuar në Kosovë.
Perceptimet mbi mungesën e stabilitetit politik janë të ndikuara nga ngërçi aktual dhe zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës të nxitura nga mosmarrëveshjet e thella ndërmjet partive në pushtet dhe opozitës. Izolimi është konsideruar rrezik për 77% të respodentëve duke iu referuar që ngritja e refuzimit të vizave është vetëm duke kontribuar në ngritjen e migrimit dhe azilkërkimit.
Destabilizimi në pjesën veriore të Kosovës për 70% të të anketuarve është një sfidë më potencial të lartë për të destabilizuar situatën e sigurisë në Kosovë.
Sa i përket rreziqeve dhe kërcënimeve të jashtme, rreziku kryesor i jashtëm për sigurinë kombëtare për 76% të respodentëve është Shteti Islamik (ISIS) duke iu referuar aftësisë se rekrutuesve për të përhapur ekstremizmin e dhunshëm dhe rekrutuar njerëz për konflikte në Lindjen e Mesme.
Në ndërkohë, me argumente të ngjashme të përdorura, 57% e të anketuarve konsiderojnë konfliktet ndërkombëtare në Siri dhe Irak të jenë një kërcënim, ndërsa vetëm 27% kanë thënë se ky konflikt nuk ka ndikim të drejtpërdrejt për Kosovën, transmeton rtk.
Arritja e refugjatëve nga Siria është perceptuar rrezik për 45% të të anketuarve me friken që mund të ketë infiltrim potencial të anëtarëve të ISIS në mesin e tyre, përderisa 37% e tyre nuk kanë perceptuar asnjë rrezik nga refugjatët sirian. Serbia vazhdon të perceptohet si një sfidë e jashtme e sigurisë për 66% të respodentëve. Ekonomia globale (recesioni, rënia e remitancës) janë perceptuar si një kërcënim tjetër i sigurisë për 63% e të anketuarve.